Lëvizje të papritura te Vllaznia. Kështu, drejtori sportiv i kësaj skuadre, Tefik Osmani, është shumë pranë largimit. Arsyeja që ka sjellë këtë situatë të befasishme në këtë moment, është mosaktivizimi i një futbollisti në ndeshjen e fundit miqësore që Vllaznia luajti me Burrelin në “Loro Boriçi”, por edhe aktivizimi i pakët i një tjetër lojtari.

Një situatë vërtet absurde, kur skuadra është në përgatitjet finale për sezonin e ri. Megjithatë, kjo situatë ka prekur edhe trajnerin Thomas Brdariç, për të cilin nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport”, në klubin shkodran ka pakënaqësi për të pas humbjes 0-4 në shtëpi me Valurin në Conference League, që solli edhe eliminimin e skuadrës nga kompeticionet europiane. “Shkodra Sport” ka mësuar edhe më shumë detaje, teksa nga burime të sigurta në klubin e Vllaznisë bëhet me dije se për trajnerin Thomas Brdariç dhe për drejtorin Tefik Osmani ka patur edhe gjoba.

Ky ndëshkim ndaj tyre ka ardhur me pretekstin për aktivizim të pakët të futbollistëve të rinj, teksa janë gjobitur me një përqindje të konsiderueshme nga rroga e tyre. Megjithatë, për momentin duket se nuk ka ndonjë rrezik në lidhje me pozitat e Brdariç, por krejt ndryshe qëndron situata me drejtorin Tefik Osmani, i cili nga sa mësojnë burime të “Shkodra Sport” ka përshëndetur edhe futbollistët ditën e martë, duke iu uruar suksese në vazhdim.

Në ditët në vijim mbetet për t’u parë nëse do të zyrtarizohet largimi i Tefik Osmanit nga drejtuesit e klubit kuqeblu apo do të ketë një prapakthim nga të dy palët. Ndërkohë, ndoshta më e qetë është situata me trajnerin gjerman Thomas Brdariç, i cili për momentin është i konfirmuar për të vazhduar punën me kuqeblutë. Megjithatë, tashmë koha do të tregojë se çfarë do të ndodhë konkretisht. Në vazhdim pritet ndoshta edhe reagimi i klubit të Vllaznisë për të mësuar më shumë në lidhje me këtë situatë, që vjen si një rrufe në qiell të hapur.
Maringlen ZHIVANI