“Drejtues të kapur nga mutizmi selektiv. Fillimisht i thonë të mbajë konferencën për shtyp dhe më pas i komunikojnë shkarkimin. Klub i turpshëm. Një njeri si Fonseca nuk e meritonte ky Milan”.
Këto janë vetëm disa nga reagimet në rrjetet sociale të tifozëve kuqezinj, të shokuar për mënyrën se si Paulo Fonseca u shkarkua nga drejtimi i Milanit, direkt pas barazimit të mbrëmshmën në “San Siro”, ndaj Romës.
Përdoruesit e “Sportmediaset” janë të ndarë në këtë shkarkim. Në sondazhin e medias së njohur italiane, kufiri mes atyre që e konsiderojnë të drejtë vendimin e shkarkimit dhe atyre që e dënojnë është shumë i ngushtë.
Tifozët, gjithashtu, ndahen për atë që do të jetë pasuesi i Fonseca. Sipas shumë personave, problemi mbetet te menaxhimi dhe jo te drejtimi teknik, por ka edhe nga ata që janë ngushëlluar nga ardhja e ish-trajnerit të Portos, Sergio Conceição: “Është një përmirësim në krahasim me Fonseca. Të luaje kundër Portos së tij ishte jashtëzakonisht e bezdisshme. Ai ka karakter si Conte”.
Dhe më tej: “Do ta kisha dashur të vinte që në gusht, ta marrë përsipër Milanin në mes të sezonit, me Superkupën te dera, nuk më ngazëllen shumë”./telesport/