Ndryshimet pozitive që kanë filluar tek basketbolli i meshkujve të Vllaznisë pritet të shoqërohet edhe me rezultatet e duhura sepse duhet thënë se skuadra është në një krizë të thellë. Me 6 humbje në 6 ndeshjet e para, ajo mban vendin e fundit në renditje dhe rrezikon seriozisht rënien nga kategoria.
Për këtë arsye, pikësëpari duhet filluar marrja e pikëve sepse vetëm kështu mund të dilet nga kjo situatë. Kjo javë është pushim për shkak të ndeshjes së ekipit kombëtar dhe kampionati rikthehet javën e ardhshme me sfidën Vllaznia- Teuta.
Përballë shkodranëve pra do të jetë kampionia në fuqi e Shqipërisë e cila është edhe sivjet pretendente për titull. Megjithatë shkodranët do të tentojnë fitoren dhe për ta arritur këtë, ata duan edhe mbështetjen e tifozëve. Në veçanti, atë të grupimit “Vllaznit Ultras”.
Ka qenë drejtori teknik Altin Halili ai që përmes medias, i ka bërë një thirrje këtij grupimi për t’u rikthyer në shkallët e pallatit të sportit. “Vllaznia për të dalë nga kriza aktuale ku ndodhet, ka nevojë për të gjithë. Më së shumti për tifozët e saj të mrekullueshëm dhe në veçanti për grupimin “Vllaznit Ultras”.
Ka disa kohë që ata janë ftohur edhe me ekipin tonë por vendi i tyre është në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” për të na mbështetur dhe mbi të gjitha për të bërë tifo për ekipin e tyre të zemrës- Vllazninë, me shpresën e rikthimit të saj sërish në nivelet ku ka qenë pak vite më parë”.
© shkodrasport.com