Përveç Vllaznisë, edhe skuadra tjetër veriore që merr pjesë në kategorinë e parë, ajo e Veleçikut, do ta luajë ndeshjen e rradhës në “Reshit Rusi”. Për këtë arsye, ky takim është spostuar për të dielën megjithatë nuk përbën ndonjë problem sepse koplikasit janë duke u përgatitur për ta kaluar me sukses edhe këtë takim.

Duhet thënë se në këtë fushë sportive, djemtë e drejtuar nga trajneri Besnik Duli kanë qenë shumë me fat sivjet. Në të tre ndeshjet që kanë luajtur si pritës në “Reshit Rusi”, kanë arritur tre fitore.

Me këtë ritëm ata do të kërkojnë të vazhdojnë edhe këtë fundjavë për të siguruar fitoren e katërt e cila do t’i ngjiste në një pozicion disi komod në renditje. Megjithatë drejtuesit e klubit nuk janë duke e marrë kaq të lehtë sfidën me matjanët.

Kjo ngaqë tek vetë Veleçiku sidomos në ndeshjen e fundit me Erzenin, janë vërejtur disa shenja vetëkënaqësie që çuan edhe në humbjen e atij takimi.

Siç ka bërë të ditur drejtori sportiv i klubit Nuri Rexha, me përjashtim të portierit Vjerdha, mbrojtësit Balaj dhe mesfushorit brazilian Aleksandre, të gjithë futbollistët e tjerë kanë qenë jo në lartësinë e duhur në atë takim.

Për këtë arsye, u është kërkuar të reflektojnë për takimin tjetër. Për këtë arsye, pritet kthesa ditën e dielë ndaj Burrelit, për më tepër që edhe mbështetja e tifozëve nga Malësia e Madhe nuk do t’i mungojë as këtë herë.

Kujtojmë se Veleçiku aktualisht ndodhet në kuotën e 9 pikëve dhe ndodhet në mesin e tabelës së renditjes. Stafi teknik e ka deklaruar herëpashere se objektivi është qëndrimi në kategori por për ta arritur këtë gjë, duhen grumbulluar sa më shumë pikë dhe sidomos në dy fazët e para të kampionatit. Prandaj dhe fitorja ndaj Burrelit është domosdoshmëri për të.
© shkodrasport.com