Pas ndeshjes së djeshme me Partizanin, ku Vllaznia humbi 2-0 dhe gati i ka dhënë lamtumirën Superiores, trajneri Ernest Gjoka dha dorëheqjen nga stoli kuqeblu, kur kanë mbetur për t’u luajtur edhe dy ndeshjet e fundit të kampionatit.
Drejtuesit e klubit shkodran nuk e prisnin këtë vendim dhe janë gjendur të papërgatitur, pavarësisht rezultateve të dobëta.
Por më në siklet ata ndihen sot, kur janë përpjekur të kontaktojnë me trajnerin kryeqytetas.
Burime të “Vipsport.al” pranë klubit shkodran bëjnë me dije se Gjoka ka fikur telefonin edhe është e pamundur të kontaktohet me të në këtë moment.
Natyrisht, drejtuesit e Vllaznisë duhet të flasin qartë me trajnerin për të vendosur se çfarë do të bëjnë më pas.
Nëse Gjoka nuk kthehet, atëherë ata duhet të zgjedhin personin që do ta drejtojë skuadrën ndaj Kukësit dhe Skënderbeut.
Por më parë duhet mbyllur përfundimisht çështja e Gjokës, për ta pasur situatën sa më të qartë. /Vipsport/