
Klauzola – Mësohet se në kontratën e trajnerit të ri të Vllaznisë do të ketë një klauzolë, sipas së cilës nëse trajneri largohet, nuk do të përfitojë asnjë pagesë në muajt pasardhës. Në ndryshim nga kandidatët e tjerë, kjo pikë e detyruar në kontratë mund të afrojë edhe më tepër shkodranin Armando Cungu. Ky i fundit, në një deklaratë për mediat dy ditë më parë, ndër të tjera theksoi: “Nëse do të më besohet stoli shkodran do të pranoj, por së pari do të shikoj edhe strategjinë që drejtuesit e klubit do të ndjekin për këtë sezon”. Mospasja e një skuadre të plotë për të pretenduar mund të bëjë që edhe objektivat e klubit të mos jenë për të kërkuar që në fillim arritjen e majave. Mungesa e lojtarëve cilësore në Superligën shqiptare shikohet me shumë skepticizëm për ndërtimin e një skuadre pretendente, kjo jo vetëm nga drejtues të klubit, por edhe të vetë kandidatit për trajner. Kjo mund të jetë edhe një nga pikëpyetjet që vetë Cungu ka për të marrë kreun e pankinës. Po ashtu dhe mundësitë e pakta për të studiuar në kaq pak kohë lojtarë jashtë saj, mund të bëjnë që Vllaznia ta ketë të vështirë ndërtimin e një ekipi cilësor.
Admir Uruçi