Drejtuesit e lartë të klubit Vllaznia i kanë “rritur” kërkesat e tyre. Nga arritja e një fitoreje apo dy të tilla, tashmë janë bërë pesë rradhazi por ata nuk “ngopen” me kaq. Duan edhe të gjashtën. E kanë kërkuar këtë si “me urdhër” ndaj trajnerit Baldo Raineri dhe stafit të tij në takimin e djeshëm që kanë patur me të. Pavarësisht se luhet ndaj skuadrës kampione në fuqi, krerët kuqeblu nuk duan ta llogarisin këtë gjë por përmes stafit teknik, do t’i kërkojnë futbollistëve të mos e ulin lojën e tyre edhe për këtë ndeshje.


Megjithatë “urdhëri për fitore” nuk ka qenë thjesht një fjalë e thënë. Janë diskutuar e rrahur shumë mendime që do të kenë të bëjnë me një angazhim maksimal të të gjitha palëve për ta kaluar me sukses edhe këtë sfidë.

Mbledhja e Bordit
Dje është zhvilluar mbledhja e rradhës e Bordit drejtues të klubit Vllaznia. Ashtu si në shumë mbledhje të tjera të tij, ka asistuar edhe kryebashkiaku Luka ndërkohë që ky i fundit kishte ftuar për të qenë të pranishëm edhe tre trajnerët, Rainerin, Nervin dhe Olivën. Kanë qenë natyrisht edhe dy drejtuesit e klubit, administratori Kalamishi dhe drejtori sportiv Grima. Në fillim, ka qenë kryebashkiaku ai që ka uruar trajnerin dhe stafin e tij për ndryshimin e situatës dhe i ka dhënë garanci edhe për të ardhmen. Më pas, kryetari i Bordit Amuli dhe anëtarët Heta e Bushati kanë diskutuar rreth skuadrës dhe çështjeve të tjera por tema kryesore e diskutimeve ka qenë qëndrimi me këmbë në tokë i futbollistëve në mënyrë që ata të mos kalojnë në eufori pas fitores së fundit me Partizanin. “Skënderbeu ka ekip shumë të mirë por nëse luajmë si me Partizanin mund të fitojmë ndaj kujtdo. Vetëm duhet angazhim maksimal dhe të mos e marrim të lehtë ndeshjen. Nuk e kemi atë luks të nënvlerësojmë kundërshtarët, aq më tepër kampionët në fuqi”- mësohet t’i jetë drejtuar trajnerëve kryetari i Bordit. Amuli. Këtë gjë kanë kërkuar edhe të tjerët. Tifozët priten të jenë të shumtë, atmosfera do jetë natyrisht një mbështetje e fortë për Vllazninë dhe mjafton që futbollistët të luajnë me grintë e karakter për të fituar edhe këtë takim.
Garancia për të ardhmen
Burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur se në mbledhjen e djeshme, stafi teknik është sqaruar për anën financiare dhe përpjekjet që po bëjnë të gjithë pjestarët e Bordit dhe ata të Bashkisë për të normalizuar situatën e krijuar që pas largimit të kompanisë “Gea Sport”. Atyre u është dhënë garancia se brenda dhjetorit do të ketë një pagesë, ndërsa të tjerat do të bëhen në fillim të janarit sapo të lëvrohet fondi i sapomiratuar nga Këshilli Bashkiak sëfundi. Përpos kësaj, është bërë e ditur se përveç premios së akorduar për fitoren me Partizanin (vlera e së cilës ende nuk është bërë publike), mund të ketë edhe një tjetër premio për fitore me Skënderbeun por kjo nuk është saktësuar. Ndoshta kjo do lihet në dorën e Bordit dhe në rast fitoreje me siguri që do ketë një tjetër premio. E rëndësishme është që Vllaznia ta mbyllë me fitore këtë vit për të nisur pastaj një vit të mbarë dhe me synime të tjera për të ardhmen.

© shkodrasport.com