Vllaznia do të kërkojë fitoren edhe në ndeshjen e rradhës me Partizanin. Shanset dhe mundësitë janë dhe për këtë arsye, do tentohet arritja e saj. Në një përfundim të tillë kanë dalë anëtarët e Bordit Mbikëqyrës të klubit shkodran si dhe drejtuesit e tjerë të tij pas mbledhjes së rradhës që kanë zhvilluar dje në Bashki. Kanë marrë pjesë në këtë mbledhje të pesë anëtarët e Bordit, po ashtu edhe dy drejtuesit e klubit, administratori Kalamishi dhe drejtori sportiv Grima.

Po ashtu ka qenë i pranishëm edhe kryebashkiaku Luka dhe të gjithë sëbashku kanë diskutuar për mbarëvajtjen e punëve tek skuadra në vazhdim. Pas përfundimit të takimit, ata që janë shprehur për mediat, ka qenë anëtari i Bordit Luan Heta dhe administratori Neritan Kalamishi. Të dy ata, kanë dhënë garanci për të ardhmen. “Po angazhohemi maksimalisht për ndeshjen e rradhës por edhe për t’i gëzuar futbollistët tanë nga ana ekonomike në mënyrë që ata t’i festojnë festat e fundvitit të kënaqur nga ana financiare.  Po diskutojmë për gjetjen e burimeve financiare për mbështetjen siç duhet të skuadrës. Natyrisht që po rrahim mendime edhe për çështjen e merkatos duke kërkuar që ta përforcojmë skuadrën me lojtarë të domosdoshëm për pikat kyçe të saj sipas informacionit që kemi marrë nga drejtuesit teknik. Kryesore është që do të simulojmë pjesën e lojtarëve vendas për të parë pastaj mundësinë edhe për lojtarë të huaj. Janë disa alternativa por duhen parë me kujdes duke shikuar edhe mundësitë financiare që ka klubi. Vllaznia është vlerësuar dhe do të vlerësohet maksimalisht nga Këshilli Bashkiak pjesa ekonomike e saj sepse pa të, klubi nuk mund të ecë përpara. Nuk e di krejt të saktë por fondi i planifikuar për buxhetin e klubit për vitin e ardhshëm mund të jetë 400- 450 milionë lekë”- ka thënë Heta. Fondi mbase edhe mund të jetë më i madh e kjo është lënë të kuptohet nga administratori Kalamishi që ka shtuar disa detaje të tjera të punës që do bëhet në klub në vazhdim, duke filluar nga ndeshja e nesërme e me rradhë. “Për ndeshjen me Partizanin është rënë dakord që ekipi të ketë një tjetër premio, e cila është e përcaktuar në vlerë edhe për barazimin edhe për fitoren. Shpresoj që ajo të bëjë efektin e duhur dhe Vllaznia të marrë një tjetër fitore”- ka thënë fillimisht adminitratori. Më pas, Kalamishi ka folur edhe për merkaton duke shtuar: “Mund të ketë zhvillime të reja në janar, shitje të futbollistëve aktualë dhe blerje futbollistësh të huaj. Futbollistët e huaj që janë aktualisht në skuadër do ikin të gjithë me përjashtim të Sozës. Njëkohësisht në janar 2-3 futbollistë të rinj  të Akademisë mund t’i dërgojmë jashtë vendit dhe bisedimet janë shumë të mbara deri tani. Sa për përforcimet, pritet të vijnë 2-3 futbollistë të tjerë të cilët natyrisht që do të provohen dhe më pas do vendoset për to”. Tashmë Vllaznia po funksionon shumë më mirë nga më parë. Ngritja e Bordit të ri, mbledhjet e herëpashershme të tij dhe nxjerrja e detyrave për të ardhmen, i ka motivuar të gjithë. Njëkohësisht kanë filluar të bëhen planet edhe për vitin e ardhshëm dhe për këtë, njeriu që ka të drejtën e firmës dhe vulës në klubin shkodran, do të thoshte:  “Bashkia fillimisht do të miratojë një fond për të mbyllur këtë vit, është thjesht çështje procedurash por e sigurtë është që futbollistët do t’i marrin paratë që kanë të nënshkruara në kontratë. Edhe për vitin e ardhshëm gjërat do jenë në rregull sepse do miratohet fondi i duhur për mbarëvajtjen e punëve”. Këto fjalë sigurisht që sjellin siguri në kampin shkodran e për këtë arsye pritet një tjetër rezultat pozitiv edhe nesër.

© shkodrasport.com