Lajmi i largimit të Hasan Likës nga pankina e Vllaznisë ka ardhur disi i papritur për opinionin sportiv shkodran e më gjerë por në kampin shkodran ishin paralajmëruar për një largim të tillë.
Njeriu që drejtoi kuqeblutë për 8 muaj e gjysëm, sot ka drejtuar seancën e fundit stërvitore me kuqeblutë dhe më pas është përshëndetur me të gjithë futbollistët.
Por ai nuk është larguar shpejt nga Shkodra. Pasi ka mbyllur marrëveshjen e ndërprerjes së kontratës në zyrat e klubit, ka zgjedhur t’u japë një drekë bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë.
Dhe për këtë arsye, ka zgjedhur një nga pikat turistike të qytetit për të shtruar një drekë për ta. Në të kanë marrë pjesë administratori Suad Lici, por edhe drejtori sportiv Engin Firat.
Përveç tyre kanë qenë edhe dy ndihmësit e tij aktualë, Safet Osja e Ideal Lekiqi, por edhe ndihmësi i mëparshëm, Elvin Beqiri. Krahas tyre ka qenë edhe Ervis Kraja, trajneri i ekipit “Vllaznia B”.
Pikërisht ky i fundit, me një postim në faqen e tij në facebook, ka vlerësuar gjestin e trajnerit Lika prandaj dhe shkruan: “Të shkoftë mbarë profesor Hasan Lika. Ndarje burrërore ashtu siç i takon burrave”.
© shkodrasport.com