Vlerësimi – Dritan Smajli, një nga shtyllat e defensivës kuqeblu, ndonëse e thotë hapur atë çka kërkon në këtë transfertë, e ka vlerësuar në maksimum kundërshtarin. Për më tepër, ai e cilëson sfidën e së dielës si një nga transfertat më të vështira që Vllaznia ka zhvilluar deri më tani. “Ndeshja e dielës ndaj Laçit do të jetë e vështirë për ne. Përballë do të kemi një skuadër me shumë ambicie dhe që në fushën e vet është e fortë. Kurbinasit zhvillojnë një lojë të mirë, e për më tepër kanë në përbërje lojtarë cilësorë. Megjithatë kjo nuk na tremb, përkundrazi. Pavarësisht vështirësive që na presin në këtë takim, ne jemi të bindur se nuk do të dalim pa pikë nga fusha e lojës”, – ka vijuar Smajli.
Gjendja – Për mbrojtësin, gjendja e përgjithshme e Vllaznisë është optimale. Mirëpo, sipas tij, e vetmja gjë jopozitive në prag të përballjes me Laçin është mungesa e kapitenit Amarildo Belisha. “Mendoj se gjendja e skuadrës është optimale. Dua të them se në aspektin psikologjik jemi OK. Po kalojmë momente të mira, gjë që duhet ta shfrytëzojmë në këtë takim. Mund të them se e vetmja gjë negative që kemi përpara kësaj sfide është mungesa e Belishës. Gjithsesi, shpresoj që reparti ynë të jetë sërish në formën e duhur”, – ka përfunduar mbrojtës i djathtë i Vllaznisë, Dritan Smajli.
Anton Zalli