Nga Maringlen ZHIVANI

Në klubin e Ilirisë së Fushë-Krujës janë të irrituar me vendimet e fundit të Komisionit të Disiplinës, ku u dënua presidenti i tyre dhe tre futbollistët më kryesorë të ekipit Shumë i inatosur me arbitrimin e ndeshjes së fundit ndaj Luzit ka mbetur edhe trajneri i Ilirisë, Dritan Smajli.

Arbitra në këtë duel ishin kryesori shkodrani Ditmir Grimci, anësori lezhjan Elvis Gjoka dhe anësori tjetër shkodran Ardit Çobaj. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Smajli u shpreh se kjo sfidë do të përfundonte me fitoren e padiskutuar të Ilirisë, në rast se arbitra nuk do të ishin Grimci dhe Gjoka, ndërsa e cilësoi mjaft korrekt arbitrimin e anësorit tjetër shkodran Çobaj. Smajli kërkoi që në vazhdim arbitrat e tjerë të jenë më të kujdesshëm në gjykimet e tyre.

“U penalizuam shumë nga arbitrat në ndeshjen ndaj Luzit dhe kjo nuk është e ndershme për ta “gjunjëzuar” skuadrën tonë. Ne jemi të bindur se goli i anulluar ishte krejtësisht i rregullt. Ç’mund të them për ata arbitra që po na prishin punë. Më vjen vërtetë keq për këtë. Gjyqtarët Grimci dhe Gjoka me gjykimin e tyre, bënë që të agravojë situata.

Nuk e kuptoj pse u dënuan futbollistët, pasi aty kam qenë edhe unë dhe nuk kam parë për asnjë moment goditje apo ofendime. Arbitrat në asnjë moment nuk janë prekur me dorë nga futbollistët tanë, pasi kemi parë edhe pamjet filmike. Gjykimi ishte tendencioz gjatë gjithë takimi. Vulën ja vendosi anësori lezhjan Elvis Gjoka që bëri tifozët të irritohen, pasi na mohoi një gol të rregullt.

Megjithatë, kur ke Grimcin dhe Gjokën arbitra, të tilla gjëra mund të priten. Anësori tjetër shkodrani Çobaj ka qenë shumë korrekt me arbitrimin e tij dhe e përgëzoj. Vendimi i fundit i Komisionit të Disiplinës për të dënuar futbollistët tanë kryesorë dhe mos-luajtjen e ndeshjeve në stadiumin tonë, do të thotë t’i hedhësh poshtë të gjithë investimin kolosal të një familje që ka bërë një punë të shkëlqyer në qytetin e Fushë-Krujës, siç është familja Selmani”,-tha në prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, trajneri i Ilirisë, Dritan Smajli.