Edhe njëherë tjetër shfaqet si protagonist. Dritan Smajli jo vetëm që luan mirë në pozicionin e tij por merr edhe rolin e “shpëtimtarit” për Vllazninë me golat që shënon. Ndaj Luftëtarit të dielën ka shënuar dy herë. Të parën herë ka zhbllokuar rezultatin duke I dhënë qetësinë skuadrës kuqeblu dhe ambjentit rreth saj ndërsa herën e dytë, shënoi golin e tretë, atë që vulosi fitoren përfundimtare të kësaj skuadre. Mbrojtësi lezhjan “me pasaportë” shkodrane (luan sezonin e pestë me skuadrën e këtij qyteti) megjithatë nuk ka dëshirë të etiketohet si protagonisti kryesor I kësaj skuadre prandaj thotë:
“E rëndësishme ishte që fituam sepse na mungonte fitorja në këto javët e para të kampionatit. Me këtë fitore kthyem qetësinë. Natyrisht nuk ishte e lehtë por rëndësi kishte marrja e tre pikëve, që do të na lënë të punojmë më të qetë në javët e ardhshme”. Goli I parë I shënuar prej tij në fakt ka patur edhe një dedikim. Pikërisht për trajnerin Shpëtim Duro. Vetë Smajli e ka shpjeguar edhe arsyen pse ka vepruar në këtë mënyrë kur ka thënë: “Unë që në momentin kur e pashë se topi përfundoi në rrjetë, e kisha në mendje se kujt do t’ia dedikoja atë gol. Pikërisht trajnerit tonë”. Pyetja e menjëhershme që lind në këto momente është ajo: Pse? Edhe përgjigja e mbrojtësit të djathtë të Vllaznisë është e menjëhershme: “Sepse trajneri më shumë se të gjithë ne, ka qenë para një përgjegjësie të madhe për ta fituar këtë ndeshje. Futbollistët sigurisht që kanë atë presionin e zakonshëm por trajneri natyrisht që ka shumë më tepër dhe prandaj e dija që trajneri Duro para ndeshjes ishte në siklet e për këtë arsye, nxitova t’ia dedikoj atë gol atij”. Ky ishte vetëm goli I parë I tij në këtë ndeshje pasi në pjesën e dytë do kishte edhe një tjetër. Këtë herë me 11-metërsh. Ndonëse atë deshi ta merrte përsipër ta gjuante Osmani, trajneri Duro e kishte vendosur se do ta gjuante Smajli. Dhe ai nuk ka gabuar duke ekzekutuar në mënyrë të shkëlqyer me një gjuajte të fortë. Me këtë gol 27 vjeçari është ngjitur në kuotën e tre golave. Nga një për secilën nga tre ndeshjet e zhvilluara deri tani këtë kampionat. Një mesatare kjo perfekte edhe për një sulmues. Smajli kësisoj është I dyti në renditjen e golashënuesve më të mirë të kampionatit pas kroatit Pejiç. Në pamje të parë, të krijohet përshtypje se mbrojtësi kuqeblu do tentojë për këtë trofe simbolik megjithatë, ai duke qeshur thotë se detyra e tij është të bëj tjetër gjë. “Unë golashënues? Së pari, duhet të bëj sa më mirë detyrën time në mbrojtje dhe pastaj të ndihmoj mesfushën dhe sulmin. Nuk kam asnjë plan sesa gola do shënoj në të ardhmen. Nëse do më jepet mundësia, sigurisht që do ta bëj këtë gjë por nuk e kam shumë mendjen aty”.-ka thënë ai. Ndërkohë I pyetur në lidhje me pretendimet që do ketë kjo skuadër në këtë sezon, Smajli, ai që kishte bërë kritikun kohë më parë, kërkon sërish të mbetet me këmbë në tokë teksa në fund do shprehej: “Objektivi I Vllaznisë është kalimi I ndeshjes me Apoloninë me sukses. Nuk duhet të shohim larg por vetëm ndeshjen e rradhës. Duke punuar në këtë mënyrë mund të bëjmë gjëra të mira sepse po të nisemi me pretendime të mëdha, mund ta pësojmë si sezonet e tjera”.
Gjergj KOLA