“Shpresa vdes e fundit”. Kështu e ka nisur bisedën e tij për gazeten mbrojtësi i Vllaznisë, Dritan Smajli. Ndonëse humbja në Laç një javë më parë e ka lëkundur jo pak besimin e shkodranëve sa i përket realizimit të objektivave, vetë lojtarët kanë ende shpresë për një gjë të tillë. Në fakt, tashmë jo gjithçka varet prej tyre. Kuqeblutë janë shkëputur 4 pikë nga Kukësi, skuadër kjo që mban vendin e katërt, dhe nisur edhe nga rrjedha që po merr tani kampionati, arritja në këtë pozicion duket paksa e vështirë. “E kam thënë edhe përpara takimit me Laçin, se një humbje apo edhe një barazim në këtë sfidë mund të na i ndërlikonte punët për të ardhmen. Dhe për të qenë i sinqertë, lënia e tri pikëve në ndeshjen e javës së kaluar na e ka vështirësuar në maksimumin punën për të arritur atë objektiv që morëm të gjithë së bashku përsipër në këtë pjesë të dytë të sezonit. Në këtë pikë të kampionatit, personalisht e shikoj paksa të vështirë arritjen e atij objektivi për të qenë në vendin e katërt në fund të sezonit. Megjithatë, ne do të vijojmë me të gjitha forcat që kemi për të marrë maksimumin në takimet e mbetura deri në fund të sezonit. ‘Shpresa vdes e fundit’ dhe në kampin tonë mbizotëron besimi për të qenë përsëri në katërshe”, – është shprehur Smajli.
Arsyet Duke vijuar më tej, mbrojtësi tregon edhe arsyet se pse Vllaznia pas pikëve të lëna në takimin me Laçin mund të rrezikojë të qenit në fund të sezonit ndërmjet katër skuadrave më të mira të vendit. Një arsye e fortë për Smajlin janë aleancat që skuadrat e tjera po bëjnë në dëm të Vllaznisë. “Në kurriz të Vllaznisë janë bërë aleanca të skuadrave të tjera që kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në të dyja humbjet tona. Ne jemi ndër të vetmet skuadra që nuk kemi aleanca në këtë kampionat. Kemi luajtur dhe do të vazhdojmë që të jemi të vetëm në luftën tonë në këtë sezon, gjë që do na e vështirësojë arritjen e objektivit. Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se jo gjithçka do të varet vetëm nga ne deri në fund. Ne do të bëjmë maksimumin, por duhet shpresuar edhe te gabimet e kundërshtarëve tanë. Një minus i madh për ne është se nuk jemi pjesë e katërshes së kupës, ku do të kishim më shumë mundësi për të thënë fjalën tonë. Megjithatë, sikundër e thashë edhe më lart, nuk duhet t’i humbim shpresat deri në fund dhe këtë e tregon edhe stërvitja e fortë që bëjmë çdo ditë”, – ka përfunduar mbrojtësi i djathtë i Vllaznisë, Dritan Smajli.
Admir URUÇI