![](https://www.shkodrasport.com/wp/wp-content/uploads/2012/02/smajli-100.jpg)
Smajli, i mbani mend fillimet e karrierës suaj? Si nisi ajo? Në ç’moshë?
Si çdo fëmijë edhe unë kam filluar ta godas topin për herë të parë nëpër rrugët e lagjes. Pastaj mbaj mend që nga mosha 7 vjeç vëllai im më ka çuar tek trajneri i tij për të filluar si çdo fëmijë tjetër, të luaja futboll. Dua të them që një rol shumë të rëndësishëm, që unë të luaja futboll, ka patur vëllai im pasi ishte vetë futbollist.
Po si lindia “dashuria” juaj për futbollin?
Thjesht duke parë vëllain teksa luante në atë koh për Besëlidhjen lindi dhe “dashuria” ime për ta bërë një gjë të tillë, pra për ta ushtuar si profesion.
Në familjen tuaj apo fisin tuaj, ka patur të tjerë, që kanë marrë me futboll më parë?
Vëllai dhe dy djemtë e tezes këta mbaj mend që kanë luajtur dhe tani luajnë gjithë nipat e mi.
Domethënë tani, një shkollë futbolli në familjen tuaj?…
(Qesh)….po aty afër!….
Si e shikon ti futobllin?
Futbollin e shoh si një sport, që të gëzon, jo vetëm ty, por dhe njerëzit, që të ndjekin. Është një sport, që të dhuron një emocion të papërshkrueshëm, është sporti që bashkon gjithë njerëzit.
Cilat janë skuadrat me të cilat je aktivizuar deri tani? Po, trajnerët me të cilët ke punuar?
Kam mbaruar shkollën e Mjeshtrisë Sportive “Loro Boriçi” dhe ky ka qenë dhe një hap shumë i rëndësishëm për mua, pasi kam patur shansin e madh të punoj me trajnerë të jashtëzakonshëm dhe shumë profesionist siç janë Astrit Maçi, Kostika Sterio me të cilin kam punuar 4 vjet dhe kemi fituar shumë tituj me të, Ernest Gjoka, Filip Nito, Zia Shaba- drejtori i shkollës një njeri i jashtëzakonshëm. Të gjithë këta profesionist dhe njerëz të shkëlqyer dhe ky ka qenë fati më i madh për mua në karrierë, që kam punuar me të tillë njerëz pa harruar dhe trajnerët e Lezhës si Vesel Sokoli, Hasan Hoxha, Ridvan Kulli. Nefail Zhejani e shumë të tjerë, e të më falin ata që nuk ua permenda emrat, pasi janë me të vërtetë të shumtë, që të gjithë i falenderoj shumë, pa diskutim. Përveç skuadrës së vendlidjes sime, Besëlidhjes, jam aktivizuar më parë, për pak kohë dhe me Kastrotin dhe gtani dihet tashmë me Vllazninë.
Çfarë do të veçonit nga karriera juaj e deri tanishme?
Katër vjetët e shkollës së mjeshtërisë sportive dhe kalimin te Vllaznia, një ëndërr, që më është realizuar.
Cili ka qenë moment më kulmor për ju?
Pa diskutim kalimi tek Vllaznia, një skuadër që e kam dashtë gjithmonë, e ja tani po luaj për këtë skuadër.
Çfarë synoni në të ardhmen në karrierën tuaj?
Të luaj në një skuadër jashtë Shqipërie dhe të fitoj kombëtaren. Është kjo ëndrra e çdo futbollisti.
A mendoni se karriera e deritanishme e juaja, ka ecur, ashtu siç e kishit ëndërruar më parë?
Në një përqindje të madhe them që po, por përsëri unë kërkoj shumë nga vetja dhe nuk kënaqem kurrë me atë, qe kam arritur. Kam akoma për të arritur, e sidomos një trofe me Vllazninë, gjë që më mungon shumë. E preka pak dhe më lart, që emocioni më i madh i imi ka qenë ftesa, që më ka bërë Vllaznia që të jem lojtar i saj dhe për këtë duhet falenderuar ish-presidentin e këtij ekipi, atëherë, Valter Fushaj së bashku me njerëzit që e kanë rrethuar, pasi besuan tek unë, që mund të isha një pikë e fortë e skuadrës. Kur kam ardhë tek Vllaznia, e vetmja gjë që mendoja me veten time, ishte të fitoja njerëzit, besimin e tyre ndaj meje, t’i bëj të më duan, pasi të them të drejteën ishte një sfidë e vështirë. Duhet të fitosh popullin e Shkodrës, që të bëhesh futbollist . Është i vetmi popull, që më dhuron emocione të jashtëzakonshme, thjeshtë janë më të mirët në botë për mua.
Megjithatë këtë sezon keni provuar që të mbani dhe shiritin e kapitenit, ndërkohë, që jeni zyrtarisht dhe një zëvendës-kapiten i shkodranëve…
Po, natyrisht! Por ka qenë një ndjesë dhe privilegj tepër i veçantë, një emocion dhe sadisfaksion i jashtëzakonshëm, por mbi të gjitha edhe një përgjegjësi tepër e madhe. Nuk bëhet fjalë për një ekip dosido, por është Vllaznia. Vlerësime të tilla të motivojmë akoma më shumë për të bërë gjithçka, sa më mirë, në punën tonë, por edhe janë një përgjegjësi dhe vlerësim maksimal nga gjithë ambienti këtu në Shkodër.
Po për kombëtaren shqiptare, ç’mendim keni në përgjithësi?
Përsa i përket Kombëtares, ajo është e të gjithë shqiptarëve edhe pse s’jam pjesë e saj. Uroj, që një ditë të jemi dhe ne, në kualifikueset e një kompeticioni dhe ne të gezojmë të gjithë, pasi na mungon një gëzim i tillë.
Si e shikoni kampionatin e sivjetshëm? Kush janë pretendentët real për titull “kampion”, sipas jush, dhe për Kupën e Shqipërisë?
Do të veçoja Skënderbeun, Teutën dhe Tiranën për titull kampion, ndërsa për Kupën besoj që atë do ta marrim ne, Vllaznia.
Po Vllazninë si e vlerësoni në këtë sezon? Duket se ka mjaft probleme dhe shumë larg objektivave të saj apo jo?!…
E kemi filluar keq sezonin, pasi dorëheqja e ish-presidentit Fushaj pati ndikim direkt tek skuadra. Megjithatë duhet të shohim përpara dhe të shpresojmë të arrijmë objektivat, që është sigurimi i një vendi në Kupat e Europës, ku shanset kanë mbetur vetëm përmes Kupës së Shqipërisë.
Cili është sulmuesi që ju ka bezdisur më shumë, gjatë karrierës suaj?
Pa diskutim Daniel Xhafaj (aktualisht futbollist i Skënderbeut), një lojtarë i fortë dhe profesionist, e mbi të gjitha njeri.
Përveç futbollit, çfarë pasioni tjetër keni?
Noti dhe muzika janë dy pasionet e mia, pra të notoj shumë dhe të dëgjoj muzikë.
Jeni nga Lezha, por në Shkodër të gjithë të duan. Mos kjo do të thotë se së shpejti mund të bëheni dhe qytetar i Shkodrës si i thonë ndryshe: pasaportizimin?!…
E kam menduar dhe këtë, por të shohim. Shkodra ka zënë një pjesë të zemrës sime.
Smajli ka patur ndonjë moment të keq, deri tani në rrugën e tij, pra në karrierë, që i është ngulitur në mendje?…Po ndonjë moment, që do ta veçojë shumë në aspektin pozitiv?…
Nuk harroj kurrë humbja e titullit kampion në vitin e parë që erdha në Shkodër.(Bëhet fjalë për sezonin futbollistik 2008-2009.) Ka qenë ndeshja e fundit me Tiranën dhe e kemi humbur. Gjëja që më ka mbetur në mendje dhe do të me mbesë tërë jetën, ka qenë ndeshja e luajtur kundër Napolit në Shkodër, pasi vija nga Lezha dhe me qëlloi të luaja kundër kësaj skuadre të madhe dhe emocionet ishin të pa para, me një stadium të tejmbushur. Kisha më pak se dy vuaj, që kisha veshur fanellën e Vllaznisë. E paharrueshme!
Nëse jeni i kënaqur me ecurinë e deritanishme të profesionit tuaj, a e kishit menduar realisht këtë sukses apo këto arritje?
Të jem i sinqertë gjithmonë kam thënë me vete, që futbollit do t’i shkoj deri në fund, pasi kam punuar shumë, që të arrij një gjë të tillë. Dua të them dhe këtë që akoma s’ka mbaruar e mira ka dhe më mirë.
Çfarë synon në të ardhmen Dritan Smajli?
Të vazhdoj me këtë ritëm dhe një ditë të këndoj në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” himnin e flamurit, pra himnin kombëtar, përkrah shokëve të kombëtares.
Megjithatë jeni grumbulluar në miqësoren e radhës dhetë parën të kombëtares shqiptare, të drejtuar nga italiani De Biazi…
Po, realizova një ëndërr për momentin, që mund edhe të luaj në miqësoren ndaj Gjeorgjisë, e që shpresoj kjo ftesë e tanishme, të përsëritet sa herë që kombëtarja shqiptare ka takime për të luajtur, qofshin ato miqësore apo zyrtare.
Por ditët e fundit keni rinovuar me Vllazninë, madje duke anashkaluar në një farë mënyre dhe ofertat e mundshme, që mund të vijnë nga jashtë…
Po, është e vërtetë se kam rinovuar me Vllazninë dhe për një sezon e gjysmë tjetër. Siç e thashë dhe më lart, këtë skuadër e kam në zemër dhe ofertat e saj nuk mund të refuzohen lehtë dhe është privilegj shumë i madh për çdo futbollist, në çdo kohë, nëse drejtuesit e kësaj skuadre të bëjnë një ofertë për të veshur fanellën e këtij ekipi. Jo vetëm kaq. Por kushtet financiare të kontratës së re, të paktën personalisht flas, janë në kuotat e atyre kontratave, që mund të marrin pjesa më e madhe e futbollistëve tanë, në kampionatet e huaja. Prandaj pse të mos rinovoja. Këtu gjej qetësinë e duhur, jam në shtëpinë time, këtu mund të marr edhe anan e duhur financiare, pse jo, njëlloj si jashtë.
Jeni supersticioz? Besoni në horoskopin dhe çfarë shenje jeni?
I përkas shenjës së Ujorit, por pak besoj të them të drejtë. Nuk jam tip që pres të mirat e të këqijat në bazë të këtyre gjërave.
Familja juaj, ju ndjek në stadium, kur luani apo vetëm përmes televizionit?
Familja ime nuk lë ndeshje pa parë, madje gjithë motrat dhe vëllai, që jetojnë në Itali kanë blerë paketën e “Super-Sport”, këtu në Shqipëri, dhe vetëm për të më ndjekur mua në çdo ndeshje dhe asnjë nuk e humbasin për ta shikuar përmes televizionit.
Po, bashkëshortja është tifoze? A ka qenë më parë apo është bërë vetëm tani, domethënë, që kur ka njohur ju?
Tifoze s’ka qenë kurrë, e futbollit, por unë po mundohem ta bëj tifoze sado pak pasi vërtetë se ka me qejf. (Qesh)….
Asnjëherë nuk keni luajtur jashtë shteti. Pse? Apo mendoni që ta arrini tani, që është dhe momenti i duhur?
Mendoj që shumë shpejt do të transferohem jashtë shtetit, pasi janë dy menaxherë, që po mundohen ta bëjnë realitet një levizje të tillë.
Së fundmi një urim për vitin 2012-të dhe dëshirat, që doni të arrini?
Në radhë të parë uroj të gjithë shqiptarët, kudo që janë, një vit sa më të mbarë e shumë suksese në jetën e tyre, ndërsa përsa i përket dëshirës sime, është që, në qoftë se do jem pjesë e Vllaznisë këtë vit, të çojmë trofeun në Shkodër, që do të thotë Kupën e Shqipërisë, pasi titulli është larg. Gjithashtu një përshendetje të veçantë do të kisha për stafin e gazetës suaj dhe për gjithë lexuesit e kësaj gazete.
Intervistoi: Mejdan Zhivani