Tek Vllaznia ka filluar të flitet për merkato por në fakt në vend që të vijnë konfirmimet e para për lojtarët që mund të vishen kuqeblu, po bëhen realitet ndoshta largimet e para. Kështu, bëhet e ditur se njëri nga titullarët e kësaj skuadre, pikërisht mbrojtësi i djathtë Dritan Smajli është shumë pranë largimit nga Shkodra pas 5 vitesh aktivizimi me Vllazninë. Kjo ngaqë në adresë të tij kanë ardhur oferta shumë interesante. Vetë ai ka pohuar faktin se për të kanë shprehur interes Tirana e Flamurtari por duket se oferta më interesante ka ardhur ditët e fundit nga Skënderbeu. Kampionët e këtij sezoni duan ta kenë në rradhët e tyre mbrojtësin e djathtë dhe për këtë arsye kanë nxituar t’i bëjnë një ofertë. Trajner i korçarëve është Mirel Josa që e njeh mjaft mirë këtë futbollist që nga periudha kur ka drejtuar Vllazninë dhe ai natyrshëm që e do edhe tek Skënderbeu. Smajlit i mbaron kontrata me kuqeblutë në fund të muajit të ardhshëm dhe me shumë mundësi do të kalojë në Korçë sepse edhe oferta financiare është shumë më e mirë nga sa përfiton aktualisht dhe përpos kësaj, do luajë me skuadrën kampione, madje debutimin me të do ta bënte menjëherë në Champions League. Largimi i mundshëm i Smajlit do t’i jepte një goditje të fortë pretendimeve të drejtuesve të Vllaznisë për të ndërtuar një ekip pretendent për sezonin e ardhshëm. Ato flasin çdo ditë për gjoja blerje të mëdha por në fakt po lejojnë të largohen lojtarët kryesorë që kanë aktualisht në skuadër. Diçka që lë vend për një tjetër diskutim për mënyrën si do krijohet skuadra për sezonin e ardhshëm teksa me shumë mundësi nuk do shohim sërish një skuadër pretendente për trofe.
www.shkodrasport.com