Veleçiku pritet të ketë një pamje tjetër në fazën e dytë të kampionatit. Paraqitja jo e mirë gjatë fazës së parë ka bërë që së fundmi në kampin koplikas të ketë një mbledhje me praninë e Kryetarit të Bashkisë, Tonin Marinaj, që është edhe presidenti i klubit, por edhe me
prezencën e drejtorit Nuri Rexha dhe trajnerit Dritan Smajli.
Në këtë mbledhje u morën disa vendime për largimin e pesë futbollistëve, të cilët nuk e kanë justifikuar besimin e drejtuesve për pjesën e parë të sezonit. Fjala është për pesë lojtarët Arenc Dibra, Brilant Hasaj, Klodian Pjetri, David Marku dhe Kujtim Alçani, të cilët nuk do të jenë më pjesë e skuadrës, pasi tekniku lezhjan Dritan Smajli nuk i ka në planet e tij.
Ndërkohë, trajneri Smajli bën të ditur se në bisedën me kryetarin e Bashkisë së Koplikut, Tonin Marinaj, është diskutuar edhe për një projekt afatgjatë me klubin koplikas, duke lënë të kuptohet se edhe nëse këtë sezon nuk arrijnë të dalin në Kategorinë e Parë, do të investohet te elementi i perspektivës në mënyrë që skuadra të jetë gati për sezonet e ardhshme futbollistike.
Nga ana tjetër, sipas trajnerit Smajli, Veleçiku pritet të ketë një bashkëpunim të ngushtë me Vllazninë, duke synuar të marrë tre ose katër futbollistë nga kuqeblutë, që për momentin nuk janë në planet e shkodranëve.
Tekniku lezhjan Smajli ishte i ftuar në emisionin “Sport Show” në TV1-Channel, ku u shpreh se bashkëpunimi me Vllazninë i bën mirë të dy palëve, ndërsa theksoi se për pjesën e parë të sezonit ka pasur pakënaqësi të shumta nga drejtuesit për disa futbollistë të caktuar.
“Dje kemi filluar stërvitjen. Na kanë ardhur shumë futbollistë në provë. Do t’i mbajmë disa ditë kuptohet dhe do të shohim kush nga ata mund të qëndrojnë.
Bashkëpunimi me Vllazninë mua më bën nder. Padiskutim që, për të marrë futbollistë nga Vllaznia mua më bën mirë, por duhet të kuptojnë edhe te Vllaznia që unë i bëj mirë atyre, sepse në fund të fundit marr futbollistë që nuk aktivizohen, që nuk kanë hapësirat e duhura te Vllaznia, te ekipi i parë. Ata mund të vijnë, sepse nuk është larg Shkodër-Koplik.
Para se të fillonim stërvitjen, ne kemi bërë një mbledhje dhe kuptohet që pakënaqësi kishte dhe ka. Edhe unë kam pakënaqësi karshi skuadrës që unë drejtoj. Normalisht, kuptohet që gjithsecili do të mbajë përgjegjësitë e veta. Realisht, unë kam pritur shumë nga futbollistët me eksperiencë, nga ata që kanë luajtur në Superiore, kanë luajtur në nivele të larta.
Nga këta futbollistë do pres unë, por e vërteta është që ne nuk kemi justifikuar gjithë korrektësinë e kryetarit të Bashkisë, z. Marinaj, sepse mund të jetë model, të paktën në këtë kategori. Më besoni, mund të jetë ndër presidentët më korrekt, më tolerant që kurrë gjatë pjesës së sezonit që u mbyll, nuk ka ardhur njëherë të më thotë pse nuk fituat apo barazuat etj.
Ai na ka lënë në punën tonë, në atë lirshmërinë tonë ashtu siç duhet dhe e vërteta është që ne nuk e kemi justifikuar dhe menduam gjithë si staf, me në krye kryetarin Marinaj, që duhet të shohim ndonjë mundësi tjetër, ndoshta edhe me futbollistë të rinj në moshë, sepse jo çdo gjë mbyllet me këtë vit. Veleçiku mund të mos ngjitet në Kategorinë e Parë dhe nuk bëhet nami.
Për futbollistët që larguam, kemi pasur pritshmëri shumë të mëdha dhe përqindjen më të madhe të përgjegjësive i marr unë, sepse në fund të fundit i kam sjellur unë edhe disa futbollistë nga Lezha. Kështu që, kemi menduar të ndërtojmë ndoshta një projekt afatgjatë, sepse nuk bëhet nami nëse ne nuk hymë në Kategorinë e Parë sivjet.
E rëndësishme është të ndërtohet një skuadër me elementë të rinj që premtojnë në të ardhmen dhe pastaj t’i marrim shkallët një nga një. Kështu që, ky ishte vendim i gjithë stafit, me në krye presidentin Marinaj, për largimin e pesë futbollistëve”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Veleçikut, Dritan Smajli.
Maringlen ZHIVANI