Vllaznia e nisi sezonin me shumë vështirësi por fitorja ndaj Laçit në javën e parë dhe ajo ndaj Skënderbeut këtë javë, kanë rikthyer shpresën në Shkodër se mund të ndërtohet një skuadër e cila të konkurrojë për mesin e tabelës e pse jo më lart.

Problemet financiare, kanë qenë dhe mbeten problemi kryesor në Shkodër, por duket se kjo gjë po shkon drejt zgjidhjes.

Këshilli bashkiak do të mblidhet të mërkurën e datës 9 tetor dhe në mesin e shumë pikave që do të diskutohen, është edhe buxheti që i përket Vllaznisë.

Për klubin shkodran, do të ketë një buxhet që arrin në 200 milionë lekë të vjetra dhe me këto, do të paguhen të gjithë punonjësit që kanë paga të prapambetura.

Pak ditë më parë, ishin punonjësit e stadiumit e trajnerët e akademive dhe stafit të Vllaznisë, ata që protestuan por duket se gjithçka do të marrë zgjidhje. Me buxhetin që Këshilli Bashkiak do të vërë në dispozicion, pritet që të shlyhen detyrimet dhe pjesa tjetër të jetë në dispozicion të klubit. /VipSport/