Emiljano Çela, trajneri i Kastriotit, ka qenë i zhgënjyer me humbjen në sekondat e fundit përballë Tiranës. Por mbi të gjitha, ai lëshoi thumbime në adresë të paraardhësit të tij në pankinën e krutanëve, Ardian Memën, duke e cilësuar skuadrën të papërgatitur siç duhej fizikisht.
“Më shumë më vjen keq për çunat se u lodhën, se bënë maksimumin. Ishte meritë e punës së kësaj jave, por edhe rifreskim i punës që kemi bërë më para. Ishte e vështirë që të futnim ekipin në mënyrën e lojës time, se lojtarët harrojnë shpejt e përshtaten me idetë e reja. Por jam i kënaqur për atë që më treguan gjatë javës. Ndeshja sot pati gabime, por u mbyllën me agresivitetin, shpirtin e garës dhe vrapimin, do të doja thjesht t’i kërkoja opinionit dhe faktorëve të tjerë që të kenë pak më shumë respekt për djersën e këtyre çunave se me këtë punë mbajnë familjet e veta, ushqejnë shpresa për të ardhmen e vet, karrierën e vet dhe duan më shumë respekt. Nuk kërkoj asgjë më shumë, thjesht të jemi të barabartë.
E them për penalltinë apo kartonin e kuq? I referohem të gjithë faktorëve.
Ekipi që unë lashë, nuk bënte kurrë tre zëvendësime të detyruara për punë dëmtimesh. Ekipi që lashë ishte agresiv, me dinamizëm, lojtarë që përballonin ndërhyrjet e ngarkesat në maksimum. Kjo më trembi më shumë sot, zëvendësimet e detyruara, lojtarë me kontraktime e tërheqje. Siç dihet, kemi grup të cunguar, pak lojtarë efektivë dhe këto zëvendësime na ndikojnë shumë në mënyrën e lojës dhe ruajtjen e freskisë së asaj që kemi punuar. Lojtarët për mendimin tim duhet të jenë më të përqendruar, më profesionistë. Edhe nëse nuk e nis nga fillimi, duhet të kesh vëmendjen çfarë kërkon trajneri. Se këtu pastaj çedojmë në zëvendësime apo në organizimin e lojës në mënyrë konstante, ky është ndryshimi që kam parë. Për ndeshjen sot nuk mund të kërkoj asgjë, ekipi ka bërë në perfeksion në momente me gabime të vogla. Nuk a perfeksion, ai do ndryshime dhe cilësi shumë të lartë. Përpos asaj që kërkova, respekti për çunat, do vazhdojmë punën, nuk është tragjedi kjo humbje, është dhimbshme por do të vazhdojmë punojmë. Do të punojmë te gjetja e ritmit dhe dinamizmit, futbolli ka kërkesa të larta, duhe të kesh vrapim, agresivitet, por do të kërkoj shumë stërvitje. Do të thoni është fundi i kampionatit, çfarë stërvitje do bësh tani? Por do të mundohemi edhe nga ana psikologjike.
Peng nga largimi? Më mirë nuk po i kthehemi çështjeve të vjetra, flasim për të rejat se të vjetrat ikën.
Unë e kam shprehur edhe më parë, kur mora ekipin, ishte detyrim moral i imi t’i përgjigjesha ftesës dhe besimit të klubit, por edhe të këtyre lojtarëve. Unë me këta lojtarë, që janë ekipi im i parë, jam i përfshirë edhe në ndjenja dhe e kisha detyrim moral të vija t’i ndihmoja në atë situatë të vështirë që ndodheshin. Ndihma ishte jo vetëm këtë javë për të mundur Tiranën, por të punonim që pavarësisht si të dalim me ekipet e tjera, ndihma ime është të vazhdojmë me përkushtim në mënyrë profesionale. Edhe pastaj do të pretendojmë për rezultate që të hyjmë në garë për ritmin e rivalëve tanë se e kemi parë çfarë ritmi kanë rivalët tanë dhe na duhet një punë shumë e madhe”, tha Çela.