Në një atmosferë të vakët, për shkak të mbylljes së dyerve të stadiumit për tifozët, Skënderbeu dhe Laçi ndanë nga një pikë, në takimin e parë të javës së tretë të Superiores, që përfundoi në barazim 1-1.
Bardhezinjtë gjetën të parët avantazhin me anë të fantazistit Myrto Uzuni, në minutën e 30’, por korçarët reaguan menjëherë dhe vetëm katër minuta më vonë, rikthyen baraspeshën me anë të Gjergji Muzakës.
Për t’u përmendur është fakti që Skënderbeu luajti 20 minutat e fundit me një lojtar më pak, pasi mbrojtësi i majtë, Abazaj u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 72-të.
Gjithsesi, ndonëse me 10 futbollistë, korçarët tentuan deri në fund të gjejnë golin e fitores dhe i shkuan disa herë pranë, por fillimisht Otto John dhe më pas Vangjeli, gabuan në tentativat për të shtyrë topin në rrjetën e Selmanit.
Edhe pas kësaj jave, korçarët mbeten në krye me 7 pikë, të ndjekur pikërisht nga kurbinasit me 5, në pritje të takimeve të tjera, që do të luhen nesër dhe të dielën.