Nga Endri ÇINARI
Java e 32-tëe Superiores do e ngrejë siparin në ditën e sotme. Ekipet të elitës së futbollit tonë do dalin sërish në fushë, kjo për kampionatin që po shkon drejt fundit. Kështu çdo gjë nis sot me duelin, Kukësi-Skënderbeu. Në “Zeqir Ymeri”, në orën 15:00, do jetë një ndeshje që parashikohet shumë e fortë.
Me kuksianët që mund të kenë “trenin e fundit” për mbijetesën. Ku në rast të një humbjeje sot, mund të zyrtarizohet rënia në Kategorinë e Parë. E ndërsa nga krahu tjetër Skënderbeu, ku korçarët janë një zonë “gri”, mes luftës për 4 vendet e para apo edhe rrezikimin e zonës “play out”. Në po të njëjtën orë do luhet edhe ndeshja mes Erzenit dhe Tiranës.
Ku edhe shijakasit kanë ndoshta shansin e fundit për mbijetesë. Dhe në një moment delikat të sezonit, përballë do kenë bardheblutë. Asgjë e sigurt përsa i përket fateve të sezonit për kryeqytetasit dhe një fitore ndaj Erzenit, mund të fusë në rrugën e duhur ekipin e Fagut. Java do vijojë edhe nesër me disa duele shumë interesante.
Në orën 15:00, në Laç do luhet dueli mes vendasve dhe Egnatias. Një ndeshje ku kurbinasit luajnë për mbijetesën e ndërsa rrogozhinasit të “blindojnë” vendin e parë. Në orën 18:00 të së shtunës, kanë një duel në distancë Vllaznia dhe Partizani për vendin e dytë. Shkodranët udhëtojnë drejt Durrësit për tu ndeshur me Teutën e ndërsa të kuqtë do luajnë derbin kundër Dinamos./www.shkodrasport.com/