Nga Endri ÇINARI
Tashmë është e qartë për Vllazninë se dueli për të siguruar vendin e dytë në kampionatin e rregullt është përballë Dinamos. Kryeqytetasit dhe kuqeblutë i ndajnë 3 pikë në klasifikim, në një moment ku kanë ngelur edhe 3 ndeshje për tu zhvilluar deri në fund. Ku momentalisht ekipi i Dajes mban vendin e dytë me 55 pikë e ndërsa shkodranët renditen të tretët me 52 pikë.
Por kalendari në vijimësi të kampionatit do jetë i “njëjtë” për secilën skuadër. Duke nisur nga ndeshja e kësaj fundjave në kuadër të javës së 34-ët, ku gjithçka është “kokë më kokë”. Vllaznia do presë blutë në shtëpi, në një duel ku kërkohet vetëm suksesi për të tentuar marrjen e vendit të dytë. Po ashtu vështirësia e ndeshjeve është e njëjtë edhe në javën e 35-të për të dy skuadrat, shkruan shkodrasport.com
Ku Vllaznia do jetë vizitore në Elbasan përballë vendasve që duan “final 4”. E po ashtu një transfertë delikate do ketë edhe Dinamo në Laç përballë bardhezinjëve. Me kurbinasit të “dëshpëruar” për pikë dhe në kërkim të mbijetesës në Superiore në fund të sezonit. E nëse gjithçka shkon e hapur deri në fund edhe java e 36-të do jetë interesante.
Vllaznia në javën finale do presë Laçin në shtëpi e ndërsa Dinamon luan derbin me Tiranën. Me të dy skuadrat që janë në garën e “ethshme” për mbijetesë në Superiore. Një kalendar thuajse “identik” për të dy skuadrat, por që Vllazninë vlen vetëm në rastin e një fitorje ditën e shtunë në orën 15:30 përballë Dinamos. Ku shumëçka mund të vendoset nga rezultati përfundimtar i këtij 90 minutëshi.(www.shkodrasport.com)