Nga Endri ÇINARI
Vllaznia-Egnatia do jetë krye ndeshja e javës së 22-të të Superiores. Me dy ekipet që janë rivalë direktë për “final 4” e patjetër që duan të sigurojnë dy vendet e para në përfundim të sezonit të rregullt. Dueli do luhet ditën e dielë në orën 17:00, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Shifrat e këtij sezoni flasin në favor të shkodranëve në përballjet ndaj rrogozhinasve deri më tani.
Kjo pasi në fazën e parë në Shkodër, ndeshja përfundoi në shifrat 3-1 në favor të Vllaznisë. Ku për kuqeblutë do ishin vendimtar me rrjetat e tyre Mala, Qato dhe Balaj. E ndërsa për rrogozhinasit do barazonte përkohësisht Ujka me golin e tij. Edhe dueli i fazës së dytë përfundoi në shifrat 1-1 mes dy skuadrave, ku golat u shënuan nga Lushkja për Egnatian dhe Dodaj për kuqeblutë, shkruan shkodrasport.com
Vllaznia nuk njeh humbje në kampionat ndaj Egnatias në fakt prej 5 ndeshjesh rradhazi. Dy skuadrat e mbyllën në barazim 0-0 ndeshjen me tyre në “play off” të sezonit të shkuar. E ndërsa gjatë kampionatit të sezonit të shkuar, Vllaznia fitonte 0-1 në fazën e katërt e po ashtu 9 herë kampionët e vendit kishin triumfuar me rezultatin 2-1 edhe në fazën e tretë kundër rrogozhinasve.
Për të shikuar një fitore të Egnatias ndaj Vllaznisë në kampionat duhet të shkojmë në fazën e dytë të sezonit të shkuar. Më konkretisht në javën e 15-të të kampionatit dhe datën 02.12.2023. Egnatia fitonte ndaj Vllaznisë me rezultatin e pastër 3-0, ku për ekipin e drejtuar nga Tetova vendimtarë me golat e tyre ishin Ndreca, Paulaskas dhe Isgandarli./www.shkodrasport.com/