Në ndeshjet në transfertë, Egnatia e këtij sezoni ka qenë më e suksesshme sesa në shtëpi. Duket një arsye më shumë për të pritur reagimin e duhur në takimin e së enjtes ndaj Kastriotit në Kamzë.
Ecuria e mirë që ka pasur skuadra rrogozhinase në fitimin e 11 pikëve jashtë përkundrejt të 10 pikëve në shtëpi, tregon që ky takim nuk do të ketë presion për ta. Në kampin rrogozhinas është rikthyer heshtja për shtyp. Një masë e vendosur nga drejtuesit e klubit, për shkak edhe të humbjes së papritur që u pësua në ndeshjen e fundit ndaj Bylisit.
Kështu skuadra është e fokusuar më së shumti te takimi i radhës, të cilin kërkon që ta fitojë me patjetër, pasi pritshmëritë janë të mëdha. THARTORI – Sa i përket takimit të radhës me krutanët, për “Panorama Sport” ka reaguar zëvendëstrajneri Eduart Thartori, i cili shprehet se Kastrioti është një ekip që të hap punë: “Kastrioti është një skuadër që vërtet të hap punë nëse i lejon të luajnë lojën e tyre. Këtë Kastrioti e ka treguar edhe në ndeshjen e fazës së parë në Rrogozhinë, e cila pati përfunduar me rrjeta të paprekura 0-0. Kështu që edhe për këtë arsye mbase, mendoj se kundërshtarët që kemi përballë meritojnë vlerësim maksimal”, shprehet ai.
RIKTHIMET- Munguan ndaj Bylisit për shkak se patën plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë. Por në përballjen me krutanët, një gjë është e sigurt. Që te prapavija e Egnatias rikthehen shërbimet e rëndësishme të ganezit Mikael Agbpekpornu dhe shkodranit Abdyrrahman Fangaj. Dy lojtarë tepër të domosdoshëm, të cilët jo vetëm kanë rekorde minutash në këmbët e tyre përgjatë javëve të luajtura për këtë sezon, por me aftësitë e veta potenciale sa fizike po aq dhe tekniko-taktike, i japin shumë siguri më mbrojtje skuadrës rrogozhinase. Ja përse këto dy rikthime mendohen se do të rregullojnë mjaftueshëm atmosferën në ekip, por edhe një shans më shumë për të pasur pretendime konkrete për një rezultat pozitiv ndaj Kastriotit.