Nga Endri ÇINARI
Në javën e 9-të të Superiores, Vllaznia do luajë në transfertën e Korçës kundër Skënderbeut. Një duel aspak i lehtë me bardhekuqtë që kanë treguar një formë të mirë në fazën e parë të Superiores. Me 12 pikë deri më tani, ekipi i “ujqërve” ndodhet në vendin e 4-ët.
Një skuadër e ndërtuar rreth elementit të ri dhe që ka bërë mjaftueshëm mirë deri më tani. Dhe pjesa ku duhet pasur kujdes tek kuqeblutë është sulmi i Skënderbeut. Dyshja Rashica-Nikaj deri më tani kanë qenë ata që i kanë dhënë tonusin dhe ritmin bardhekuqve.
19-vjeçari nga Kosova është përshtatur mjaft mirë në kampionatin shqiptar. Duke shënuar madje edhe një gol me vlerë 3 pikëshe në fitoren 1-0 ndaj Partizanit. Po ashtu shkodrani Nikaj është në sezonin e tij të tretë tek Skënderbeu. Dhe tashmë është një titullar i padiskutueshëm në ekipin e Gvozdenoviç.
Edhe Nikaj po ashtu ka shënuar një gol kundër Tiranës në këtë sezon. Këta dy janë lojtarët më të rrezikshëm tek Skënderbeu. Pavarësisht se tek korçarët ka disa elementë interesantë këtë edicion. Ndaj të cilëve duhet pasur kujdes në duelin e fundjavës në qytetin jug lindor.