Pas 2 fitoresh në sfidat e para, Dinamo e Igli Allmuçës do të kërkojë një tjetër rezultat pozitiv në “Loro Boriçi”, përballë Vllaznisë në duelin për kreun.
Të 2 skuadrat vijnë me pikë të plota në javën e 3-të, teksa trajneri dinamovit është optimist. Në një prononcim për “RTSH Sport”, Allmuça tregon se Dinamo e ka mundur gjithmonë Vllazninë në kohët e arta.
37-vjeçari beson se skuadra e tij do të tregojë vlerat në fushë dhe nuk do të luajë si inferiore përballë shkodranëve të Hasan Likës.
“Një përballje e vështirë, 2 skuadra me traditë, mendoj që do të japim më të mirën në fushën e lojës. Do tregojmë vlerat tona, nuk do të luajmë inferior përballë Vllaznisë, sido të jetë rezultati.
Ne jemi Dinamo që gjithmonë në Shkodër ka pasur rezultatet të mira. Skuadra do të ketë premio, nuk është komunikuar se çfarë shifre do të jetë, por di që skuadra do ketë premio për rezultat pozitiv në Shkodër.
Pak rëndësi ka premio për ne, lojtarëve ia u kam bërë të ditur që këto janë ndeshje prestigji, është shumë mirë që t’i luash, por është kënaqësi t’i fitosh këto ndeshje, kanë vlerë më shumë se 3 pikë.
E kemi parë ekipin e Vllaznisë në sfidën ndaj Korabit. E kemi ndjekur pak pasi kemi qenë dhe në stërvitje. Kemi një ide të qartë se si luan Vllaznia, megjithatë kjo varet nga futbollistitët se çfarë forme do të shfaqin në lojë.
I kemi kërkuar skuadrës mos ketë trysni psikologjike dhe të shprehen lirshëm. Duhet të luajmë me kundërshtarin ballë për ballë, për ta mundur, pavarësisht emrit që ka. Të gjitha ekipet kanë nivel, duke futur dhe Besëlidhjen, Korabin, Erzenit. Të gjitha ekipet do hasin vështirësi”, u shpreh Allmuça.