Elvin Beqiri, ishmbrojtësi e kapiteni i Vllaznisë dhe lojtar për shumë vite i ekipit tonë përfaqësues, e shikon me shumë emocion përballjen e së premtes në klasiken VllazniaTirana. Sipas tij, të dyja skuadrat janë me moral të lartë dhe në lojë janë të tria rezultatet, pavarësisht se shpreh mendimin se tri pikët kësaj here duhet që të shkojnë nga Vllaznia.
Në bisedën për “Panorama Sport” ai vlerëson shumë punën që kanë bërë dhe po bëjnë të dy trajnerët respektivë të skuadrave, Mirsad Jonuz te Vllaznia dhe Emanuel Egbo te Tirana. “Klasike” të tillë përherë ngjallin kujtimet tek ish-mbrojtësi shkodran.
E keni ndjekur Vllazninë në këtë periudhë?
E kam ndjekur Vllazninë në çdo takim. Mendoj se është një Vllazni me “muskuj”, sidomos me afrimet e bëra në merkaton e janarit. Është një skuadër që ka cilësi dhe për më tepër ka një grintë dhe një skuadër e fortë edhe fizikisht. Për mendimin tim, Vllaznia ka kaluar për mirë pritshmëritë e mia. Pra, është një skuadër që po luan shumë mirë futboll dhe po tregohet e zonja për t’i marrë pikë çdo skuadre dhe të jetë e barabartë me to.
Si e shikoni këtë klasike të futbollit shqiptar?
Do të jetë një ndeshje spektakël. Të dyja ekipet kanë dhënë përherë spektakël në përballjet mes tyre. Besoj dhe shpresoj që të bëhet një ambient i mirë dhe një ambient sportiv. Të jetë gjithçka e bukur siç është futbolli që luajnë këto dy skuadra. Por shpresoj dhe dëshiroj që përveç futbollit të bukur, të fitojë Vllaznia.
Tirana duket se ka gjetur çelësin e suksesit me teknikun Egbo…?
Kur thuhet që dikush po bën punët si me shkop magjik, për trajnerin Egbo duket se është gjetja më e saktë. Ai, me sa shihet, deri tani ka gjetur tamam shkopin magjik (Qesh…). Dikush t’i futet në shtëpi e t’ia marrin shkopin, që të ndërpritet e gjithë ajo ecuri pozitive prej shtatë javësh vetëm me fitore. Tirana me trajnerin Egbo duket më e lirshme. Ka më thjeshtësi, pa shumë akademizëm dhe luftojnë përgjatë gjithë 90 minutave. Ka lojtarë cilësorë, jo vetëm në formacionin e parë, por edhe në stolin e rezervave. Pra, në total është një skuadër e kompletuar. Unë e kam thënë edhe më përpara, Tirana ka stofin e ekipit për të qenë pretendente për titull.
Mund të jetë një sfidë trajnerësh?
Nuk mund të them sfidë trajnerësh, por unë dua që të përgëzoj teknikun Jonuz dhe stafin e tij. Për mua është jashtë pritshmërive, gjithmonë për mirë. Ka një eksperiencë të madhe, duke qenë pjesë edhe e ekipeve kombëtare, duke drejtuar si ekipin e 21- vjeçarëve e po ashtu edhe ekipin e parë kombëtar të Maqedonisë.
Ky trajner dhe ky staf ka futur frymën e besimit dhe të fitores në skuadër. Këtë e kërkon me shumë këmbëngulje ky person që sot me shumë kompetencë e eksperiencë drejton këtë Vllazni. Lojtarët luftojnë, vrapojnë, kanë grintë e dëshirë, ndryshe nga vitet e tjera. Shpresojmë që të kemi më shumë kualitet dhe më shumë cilësi në fazën sulmuese për të thënë se kjo skuadër është tërësisht e kompletuar.
Mund ta ndalë me fitore Vllaznia Tiranën?
Nuk ka gjë të pamundur. Asnjë ekip nuk e ka fitoren e sigurt. Të tria rezultatet janë në lojë. Tirana vjen me një anë psikologjike më të mirë, por edhe Vllaznia është në momentet optimale dhe do të kërkojë fitoren. Prandaj, unë e shikoj si një sfidë që do të luftohet dhe do të fitohet nga skuadra që do të gabojë më pak.