Humbja e fundit e Shqipërisë në Skoci, ka tronditur jo pak besimin e shqiptarëve te trajneri Kristian Panuçi, por njëkohësisht edhe të futbollistëve të cilët pranonin se për taktikat e ndeshjes, përgjegjësitë binin mbi teknikun italian.
Në kushte të tilla, vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka është detyruar që në faqen e tij të “Facebook”-ut të dalë në një komunikatë për shtyp, duke votëbesuar Panuçin, pavarësisht kritikave të vazhdueshme dhe kërkesave për një largim të tijin.
“Sapo kemi nisur një turne të ri dhe kemi luajtur dy ndeshjet e para. Kemi marrë tre pikë dhe pësuam humbjen e parë të hënën në mbrëmje në Gllasgou.
Një humbje nuk duhet trajtuar si një tragjedi. Kemi patur mundësitë tona por që nuk i shfrytëzuam, ashtu sikurse edhe difektet, që jam i bindur se trajneri i ka tashmë pikë referimi.
Jemi në gjysmë të rrugës, me pikë të barabarta me rivalin. Na pret në tetor një transfertë e vështirë në Izrael. Të gjithë ne, duhet ti japim kohën e mjaftueshme trajnerit për të bërë ndryshimet dhe reflektimet e duhura në skuadër.
Koha e llogoreve nuk vlen për askënd. Kritikat jane normale për një skuadër kur ajo humbet. Por kur këto bëhen për interesa jo sportive, nuk i shërbejnë askujt.
Unë mirëkuptoj çdo shqetësim të tifozëve tanë apo çdo artikulim mediatik por njëherësh i ftoj që këtë situatë jo të mirë ta shndërrojnë duke shpenzuar energji pozitive për kombëtaren tonë!”, shkruhej në njoftimin e Dukës. /Vipsport/