Gjatë ditëve të fundit ka pasur zhvillime të reja sa i përket zgjedhjeve të fundit në FSHF, pasi Gjykata ka vendosur të kthejë regjistrimin e veprimtarisë së Asamblesë.

Në një intervistë për “Top Channel”, Armando Duka ka folur rreth kësaj çështje, por pa anashkaluar edhe temën kryesore të kampionatit shqiptar, dënimin e Skënderbeut.

“Diskutimi që është bërë për regjistrimin e vendimeve të Asamblesë, është më tepër një zhurmë sesa një ngjarje reale.

Gjyqtari nuk ka gjetur të gjithë dokumentet dhe ka kërkuar ato plotësuese, ndërsa sa i përket aspektit të legjitimitetit të procesit zgjedhor, është një kapitull i mbyllur.

Opinioni i organizatave në të cilat ne bëjmë pjesë, UEFA dhe FIFA janë shprehur për zgjedhje korrekte në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Dënimi i Skënderbeut.

“Dënimi i Skënderbeut nga UEFA është një lajm i keq për të gjithë ne, por nëse ka prova, trupat gjykues duhet të mbështeten dhe në rast se jo, klubi duhet të bëjë mbrojtjen e domosdoshme për të argumentuar të kundërtën.

Ky vendim nuk detyron komisionet e Federatës për të marrë një vendim tjetër kundër Skënderbeut. Federata dhe komisionet e saj i kanë dhënë vendimet e tyre dhe nuk do rikthehen për të gjykuar këtë çështje”.

Kombëtarja.

“Nuk është një moment i mirë për futbollistët e Kombëtares, pasi po aktivizohen pak në klubet e tyre.

Megjithatë për mua do të ishte më mirë t’i besohet futbollistëve që luajnë në liga më të ulëta por kanë më shumë minuta në këmbë”, është shprehur Armando Duka. /vipsport/