Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka kritikoi kapitenin e Shqipërisë Elseid Hysajn për paraqitjet e fundit me kombëtaren. Në një prononcim për “Radio Kiss Kiss”, kreu i futbollit shqiptar, analizoi dhe refuzimin e Napolit për të zhvilluar sfidën e kaluar në Serinë A me Juventusin.
Në cilësinë e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Duka u shpreh se klubi napolitan duhej të zhvillonte sipas programit takimit. Ai theksoi sipas rregullores se nëse 13 lojtarë në një skuadër janë infektuar me koronavirus, takimi mund të luhet, por kur ka 2-3 raste, ndeshja duhej të luhej normalisht.
Në lidhje me kapitenin e Shqipërisë Elseid Hysaj, i cili nuk i është bashkuar kombëtares pas rasteve pozitive me COVID-19, Duka shtoi se futbollisti shkodran nuk jep maksimumin me ekipin kombëtar njësoj si me Napolin.
“Napoli-Juventus – Nëse një ekip ka në dispozicion të paktën 13 futbollistë pa viruse, atëherë ndeshja mund të luhet. Nëse skuadra ka më pak se 13 lojtarë në dispozicion, ndeshja zhvillohet në një datë tjetër. Dhe nëse nuk luan dot as herën e dytë, atëherë UEFA mer vendim.
Kur ke 2-3 raste pozitive me COVID-19, ndeshja duhet të zhvillohet. Napoli duhej të udhëtonte drejt Torinos, pavarësisht refuzimit të presidentit Aurelio De Laurentis. Napoli është përgjegjës që e humbi takimin 3-0 në tavolinë. Duhej të luanin kundër Juventusit. Për këtë situatë vendos Komiteti Disiplinor.
Hysaj qëndron në Napoli – Ai ka luajtur shumë mirë në dy ndeshjet e para me Napolin, më vjen keq që nuk ka bërë të njëjtën gjë me ne në kombëtare. Ne presim shumë prej tij”. u shpreh Duka.