Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, mendon se gabimet e gjyqtarëve vijnë edhe prej një presioni disi të tepruar. I ftuar dy ditë më parë në emisionin “Pressing” në televizionin “Abc News”, kreu i institucionit të futbollit theksoi se të gjithë presidentët e klubeve i ankohen javë pas jave për gjykimet.
“Mendoj se niveli i gjykimit është i barabartë me nivelin e futbollit në Shqipëri. Mund të merrni kasetat dhe do të shihni dallim të madh me vitet e kaluara. Deri para tri vitesh, asnjë nuk e dinte se si bëhesh arbitër në Shqipëri. Tani ka disa kritere që tregojnë procesin e mirëpërcaktuar për të pasur arbitra dhe arbitrim sa më të mirë.
Favorizimet? Këtë histori e kemi dëgjuar në çdo kampionat, e në çdo ndeshje. E dëgjuam për Skënderbeun për disa vite, e më pas të gjithë thoshin që ekipi korçar e meritonte të fitonte. Unë mendoj se Tirana e meriton të jetë aty ku është sot, edhe Gjirokastra e meriton. Mund të ketë ndonjë gabim, rivënie anësore, goditje këndi apo penallti, por nuk janë vendimtare në garë.
Sapo të humbë një ndeshje e thotë. Nuk mund ta them se para disa viteve mund ta fitonte Kukësi apo mund ta fitonte Partizani titullin, meqë Starova ka pretendime. Nëse e fitonte Partizani, Kukësi do thoshte të njëjtën gjë.
Nuk dua t’i mbroj arbitrat, por gabimet janë edhe pak nga presioni i tepruar. Në gara si Kategoria Superiore e Kategoria e Parë, nuk besoj se ka marrë dikush atë që nuk e meriton”, ka thënë Duka.
Disa gabime janë të vërteta, nuk mund ta mohoj. Siç ka bërë një mijë gabime në pankinë Starova, siç i bën edhe një futbollist, gabojnë edhe gjyqtarët. Sot (dje) kam folur me presidentin e Luftëtarit, Bekim Halilaj. I thashë që t’i marrësh një nga një, të gjithë presidentët thonë unë jam më i penalizuari i kampionatit.