Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit është kthyer prej vitesh në një “mollë të ndaluar” për mëtuesit. Molla nuk ka vlerën e asaj të gjeniut Steve Jobs, por Armand Duka nuk ka lejuar askënd ta kafshojë. Figurat e futbollit shqiptar nuk e mposhtin dot presidentin aktual të FSHF-së, i cili ka krijuar një perandori duke shfrytëzuar fondet e shumta nga FIFA dhe UEFA.
Ish-Kryeministri Sali Berisha e pati sulmuar hapur pak vite më parë, aq sa u krijua përshtypja se Duka, më në fund, do të rrëzohej, por jo. Ankesat e këtij të fundit në institucionet më të larta të futbollit ndërkombëtar ndikuan që gjithçka të mbyllej me aq. Pse? Sepse futbolli nuk ka fe, ngjyra politike apo pronar. FSHF-ja i nxit të gjithë të bëhen pjesë e saj, sepse është një koshere me tonelata të tëra me “mjaltë”, të cilin nuk e kontrollon shteti. Ajo vetëfinancohet dhe ka fitime. Të shumta, madje. Për këtë, mjafton të kujtojmë kualifikimin historik në Kampionatin Evropian (2016). Kështu, përpjekjet e politikës për marrjen e fronit të FSHF-së vazhdojnë, sepse shumë personazhe të futbollit shqiptar janë shprehur kundër Dukës (sidomos administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, dhe presidenti i Partizanit, Gaz Demi).
“E dua Sportin” së fundmi ka zbuluar se Fidel Ylli pritet të jetë kandidat për zgjedhjet e ardhshme presidenciale (mars). Ai është një deputet i Partisë Socialiste, ashtu si edhe kandidati tjetër i përfolur në medie, Bashkim Fino. Lidhja e tyre me qeverinë tregon qartë se po flasim për një plan të qartë të pozitës për të marrë frenat e një institucioni të pavarur. Çfarë plani është ky? E thjeshtë. Duka është fuqizuar shumë dhe nuk mposhtet lehtë, kështu që “arma” kundër tij do të jetë pushteti lokal. Kandidati kundër tij do të joshë krerët e bashkive të cilat menaxhojnë klubet e futbollit shqiptar, të cilat nuk janë pak. Ato kanë të drejtë vote dhe mund të binden lehtë për të votuar të preferuarin e qeverisë, duke u premtuar favore.Duka do të ndihet i pafuqishëm, sepse politika ka shumë gjëra për të dhënë në këmbim të një vote. Kjo është arsyeja pse gara e vitit të ardhshëm do të jetë më e ethshme se kurrë.
Marrë nga Eduasportin.com