Presidenti FSHF-së Armand Duka vazhdoi të replikonte me qeverinë. Kreu i futbollit shqiptar pranoi se federata do të investojë 900 mijë euro për mbelljen e fushës së stadiumit “Air Albania” me bar artificial, sistemin e ventilimi9t dhe ndriçimit. Ai ironizoi qeverinë duke thënë se “shpreson që të paktën të sillen vaksinat për ‘COVID’-in, pasi nuk pret ndihmë për futbollin”.
Këto deklarata presidenti i FSHF-së Duka i bëri për emisionin “Paso” në “Top Albania Radio”.
“ Investimi për ‘Arenën Kombëtare’ – ‘Arena Kombëtare’ do të ketë një fushë perfekte për vitin 2021. I kemi marrë masat për ndryshimet teknologjike të domosdoshme për këtë lloj impianti, nuk do të ndërrohet deri në mars, por do të bëhen të gjitha shërbimet e nevojshme që të kemi një fushë të mirë në mars dhe perfekte në qershor.
Bëhet fjalë për një investim shumë të madh që përfshin sistemin e ndricimit, sistemin ventilimit dhe barin artificial, gati 900.000 euro. I investojmë vetë ne se nga qeveria nuk kemi gjë, ishallah na siguron vaksinat qeveria.
Stadiumi ‘Air Albania’, qendër vaksinimi – Do t’i japim edhe shtëpitë, jo vetëm stadiumin për ta kthyer në qendër vaksinimi.
Ndryshimet në statutin e FSHF-së – Kushtetuta e një organizate që është statuti për ne, ka pësuar ndryshime herë pas here për të ecur me hapat e kohës të partnerëve. Nën udhëzimet e FIFA-s kemi bërë ndryshimet edhe në statutin tonë. Ato kanë të bëjnë me përafrimin me statutet tip të FIFA-s dhe federatave botërore, sigurisht në përputhje edhe me legjislacionin tonë.
Një tjetër ndryshim është përfaqësimi i të gjithë anëtarëve të futbollit pasi në të vjetrin nuk ishin si futbolli i femrave apo ai i futbollit amator. Kushdo që luan futboll e gjen veten pranë federatës tashmë. Në ndryshimet e reja parashikohen edhe kufizime për kandidatët e rinj, për rezidentët jashtë apo njerëzit e politikës”, u shpreh presidenti FSHF-së Armand Duka.