Kreu i FSHF-së, Armand Duka, tashmë që sezoni 2018-2019 po ul siparin e vete analizon garën për titull, skemën e Superiores, por edhe mbijetesën. Duka ndalet edhe te Kombëtarja, por nuk lë pa përmendur edhe ndryshimet në stolin kuqezi. Vetë kreu i FSHF-së ka besim te Edi Reja, ndërsa në fund flet edhe për vendimin e KAS të Skënderbeut. Ja intervista e dhënë nga Armand Duka në “Rtshsport”:
-Presidenti po mbyllet një sezon futbollistik, si e vlerësoni ju?!
Ky vit shënon një hap pozitiv krahasimisht me vitin e kaluar. Mund të flasim edhe me shifra apo me gjërat pozitive që ka pasur ky sezon, jo vetëm për Superiore, por për të gjitha aktivitetet që ka organizuar FSHF-ja. Njerëzit që luajnë futboll dhe në fakt në objektivat tona, sidomos prurjet e fëmijëve kanë qenë në prioritet.
Projektet e reja kanë shtuar numrin fëmijëve që e duan këtë lojë. Por, ato që duken më shumë te tifozët janë garat në Superiore, në Kategorinë e Parë dhe të Dytë. Garat kanë qenë më të ndjekura, më të besuara dhe fakti që jemi vetëm 4 ditë para fundit dhe ka luftë sportive tregon se ka rivalitet…
-Në aspektin e licencimit ku jemi?
Kushtet e licencimit janë edhe në bazë të kushteve që ka vendi. Ndaj edhe “steka” e licencimit ecën paralel. Mendoj se mënyra e licencimit duhet që të ndryshoj, pasi duhet që klubet të kujtohen që në maj apo qershor për sezonin në vijim. Jo me dy furça gëlqere mund të thonë se është gati ambienti. Ne po i mbështesim me aq sa kemi mundësi këto klube, jo 100% sepse varet edhe nga kapacitetet tona, ndaj edhe vetë klubet duhet që të bëjnë më shumë.
-Është një lloj arritje titulli i Partizanit pa u përfolur ndryshe nga sa ka ndodhur në sezonet e shkuara?
Ka qenë një kampionat i merituar, ka pasur pak konkurrencë. Fakti që e ka siguruar titullin disa javë para apo dhe diferenca me 10-12 pikë, tregon që ka pasur pak konkurrencë. Më vjen mirë sepse është një klub që në tërë territorin ka mbështetës.
-Në krahasim me dy vite më parë, si ju duket Partizani i këtij sezoni?
Fakti që Partizani doli në vendin e parë fitoi edhe titullin është skuadra më e mirë e viteve të fundit.
-Është deri diku e dhimbshme situata e Tiranës?
Kushdo që bie, sado klub i madh të jetë apo dhe të ketë tifozë, ky është futbolli! Gara është me 10 ekipe. Nuk mund t’i urojmë asnjë ekipi që të bjerë e sidomos Tiranës. Por kujtojmë që ra Vllaznia vjet, ra Tirana para dy viteve. Kjo është loja, kjo është gara!
-Ka qenë futboll shumë i luftuar, por numri i tifozëve ka qenë jo shumë i madh, si mund të zgjidhet dhe a ka strategji?
Unë nuk kam statistika dhe të flas për këtë sezon, për të shtuar numrin e tifzoëve varet edhe te rezultati i lojës dhe mënyra se si organizohen klubet me tifozët e tyre. Duhet që gara të promovohet si produkt. Ka më shumë nevojë për komunikim dhe bashkëpunim për tifozët…FSHF-ja mund të bëjë asistencë dhe konsulencë, por ka edhe disa faktorë të tjerë që e pengojnë mbushjen e stadiumit.
-A ka tolerime, si i perceptoni në konceptimin tuaj?
Tolerimi ka ekzistuar, fatkeqësisht është i dëmshëm, por unë uroj që të eliminohet. Por, nuk e besoj. Normalisht duhet që të luftosh. Por, që të motivohesh dhe të luftosh janë shumë faktorë…! Në Shqipëri këtë edicion është eliminuar tolerimi për termat financiare. Të gjitha ndeshjet janë rezultat i asaj çka japin ekipet në fushën e blertë. Në ndeshjen e fundit psh.: si Partizani-Teuta, të kuqtë e kanë siguruar gjithçka dhe nuk është e thjeshtë. Ndryshon kur Partizanit i duhen pikët.
-Dhuna në Kamzë riktheu një fenomen tjetër që erdhi nga drejtuesit e klubit. Mendoni se është çështje rendi?
Jo, janë të gjithë bashkë. Fenomeni i dhunës duhet minimizuar, kjo është një garë emocionale dhe duhet bashkëpunimi i të gjithëve. Duhet që të gjithë bashkë në qoftë se kemi si objektiv minimizimin, mund ta çojmë drejt zeros!
-Në një mbledhje me kryeministrin u ngrit zërin për ndihmën e Prokurorisë për ndeshjet e trukuara. Ka të tilla?
I përkasin të shkuarës, madje jo të trukuara por të dyshuara. I vetmi indicie është informacioni që na vjen nga UEFA dhe nga monitorimi i disa prej kompanive të basteve. Kjo është një indice dhe nëse në FSHF vjen, atëherë nga ne bëhet kallëzim penal në Prokurori. Ne nuk mund të gjejmë prova. Ka kallëzime, por Prokuroria nuk i ka marrë në konsideratë me apo pa tëë drejtë…!
-Mendoni se ka nevojë për ndryshime skema e Superiores dhe Kategorisë së Parë?
Skema e Superiores është e përshtatshme, është një skemë që mund të sigurojë një minimum të ardhurash për një klub dhe që lejon shumë pak për tolerime. Kurse në Kategorinë e Parë ka shumë lëvizje, por as e mëparshmja dhe as kjo aktualja nuk po përshtaten siç duhet dhe ne presim. Ka qenë një apo dy ekipe që kanë luftuar, ndërsa të tjera vijojnë garën pa synime. Kam kërkuar nga specialistët që të gjejmë skema të tjera që të mos cenohet gara. Kam dëgjuar në Itali e vende të tjera, ku përfshihen edhe vendi i 6-të apo i 7-të. Ne duam që gara të jetë konkurruese.
-Ka kaluar një muaj e gjysmë nga tryeza për “Ligjin e sporteve, ku jemi aktualisht dhe a ka përplasje me Ministrinë e Financave?
Është një punë e iniciuar nga FSHF për të ndryshuar një paketë ligjore për sportin. Në këtë paketë përfshihen shumë gjëra, por edhe sidomos ndryshimet në Kodin Penal për ata që shkaktojnë dhunë në ambientet sportive. Mendoj se kjo nuk ka nevojë për financa. Kurse gjërat e tjera që kanë një impakt financiar po hasin vështirësi. Futbolli vetëm në organizime dhe financime nga FSHF-ja nuk mund të bëhet.
Imagjinoni që të synosh më tepër në garat zyrtare… Duhet që të ketë një ndryshim në paketën fiskale dhe bizneset që ndihmojnë sportin të kenë lehtësira. Po studiojmë modele të ndryshme dhe një skemë e pranueshme është ajo sipas ligjit hungarez, ku çdo biznes ka të drejtë të financojë 4 kolona në sport dhe ka të drejtë të financojë deri në 80%. Por duhet një bashkëpunim mes FSHF-së dhe shtetit. Këto ndryshime do të zhvillojnë sportin dhe do ta pasurojnë atë. Nëse një industri nuk formalizohet nuk zhvillohet.
-U premtua se paketa do të ishte gati brenda 3 muajve. E besoni një gjë të tillë?
Zhvillimet e deritanishme do të na çojnë në plotësimin e kërkesave, shpresojmë ta realizojmë ashtu si u projektua..
-Ju në vitin 2016 nuk e keni pranuar një gjykatë të arbitrazhit sportiv, por kryeministri e vuri në dukje..
Nuk është e vërtetë. Palët kërkojnë që të gjykohen nga një gjykatë e besueshme. Madje kemi pasur edhe takime me ekspertë. Derisa nuk është në Shqipëri kemi gjetur Lozanën shumë i kualifikuar.
-U premtua për “Arenën Kombëtare” që do të ishte gati në fillim të 2019, ndërsa deri më tani nuk ka përfunduar…Pse?
Kompania që e ka bërë, pavarësisht se ka bërë një punë me shumë kualitet, nuk ka arritur të kapë kohën. Objekti është shumë i madh shumë kompleks, por po “hanë” kohë edhe pajisjet dhe instalimet…
-U zgjidh çështja e TVSH-së?
Jemi në proces gjyqësor me Ministrinë e Financave për rimbursimin e TVSH-së dhe kemi fituar në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe presim vendimi e formës së prerë në Apel.
-Kur parashikohet të përfundojnë punimet në ish-kompleksin “Dinamo”. Kur do të përfundojnë?
Brenda 2019 mendoj.
-Shumë drejtues klubesh ankohen tërë vitin, ndërsa në Asamble askush nuk e merr fjalën..
Aty votohet “pro” ose “kundër”. Shpesh kanë pakënaqësi për vendimit, por duhet të bazohen në rregullore.
-Sa ka bërë Liga Profesioniste deri më sot?
Deri më sot ka bërë pak, mendoj se duhet që të bëj hapa përpara për të gjitha ato që ka marrë përsipër. Realisht do kontribuoj që të bëj më shumë hapa përpara.
-Ka nisur punën Edi Reja, si ju duket në krahasim me Panuçin?
Do ishte mirë te merremi me të tashmen. Në momentin kur u emërua Panuçi, Shqipëria kishte një sukses. Panuçi kishte ambicie për të pasur rezultat pozitiv, por nuk e arriti. Ekipi nuk bëri progres, por edhe ambienti nuk ishte i “ngrohtë” dhe mungoi atmosfera pozitive. Panuçi nuk arriti që ta bëjë me median, tifozët, futbollistët, administratën, etj.
Ne nuk jemi Gjermania që kemi talente të mëdha. Na duhet motivim e bashkim. Derisa nuk arriti që ta bëj mund të quhet histori e mbyllur me pa sukses për të filluar këtë histori të re. Trajneri Edi Reja është ekspert i mirë, me eksperiencë të madhe në futboll dhe besoj se do të bëjmë mirë të gjithë bashkë. Të gjithë do përpiqemi që skuadra Kombëtare të hyj në “shinat” e duhura!
-Si ju duket në këto ditë të para?!
Mendoj se është trajneri i duhur, që i ka të gjitha cilësitë që na duhen neve?
-Besoni në kualifikim në eliminatoret e radhës?
Po patjetër, duhet të besosh që të arrish…, por po s’morëm pikë në Islandë e vështirë që të shkojmë në Europian.
-Ka pasur disa ndryshime në ekipet zinxhirë kuqezi, por jo te U-21. Pse?
Ndryshimet vijnë nga rezultati kështu që edhe U-21 e kemi në vëzhgim të vazhdueshëm…
-Dyrmishaj dhe Vrushaj, dy talente që kanë preferuar të zgjedhin Greqinë?
Është zgjedhje e tyre individuale, ne u kemi hapur dyert por ata marrin vendimet e tyre. Nuk besoj se do t’u shkojë mirë bluza e Greqisë edhe pse ua uroj më të mirën. Por, kur Greqisë i mungojnë 4 sulmues dhe ata nuk luajnë…
-Kosova është një kërcënim për Shqipërinë?
Kosova po bën paraqitje shumë të mira dhe më behet qejfi. Kanë një organizim dhe atmosferë shumë të mirë. E kanë atë frymën që në vitin e kaluar nuk e kishim. S’ka lidhje për kërcënim..
Tashmë jeni pjesë e UEFA-s. Do të bëni më shumë për futbollin shqiptar?
Si unë, apo dhe Ademi do bëjmë më të mirën për shtetet tona. Sa më shumë i përfaqësuar të jesh aq më mirë je si Kombëtare. Ja vlen për Shqipërinë, qoftë edhe për një asistencë më shumë.
Vendimi i KAS-it për Skënderbeun do përdoret nga Uefa për më vonë si precedent edhe për klubet e tjera shqiptare ?
Skënderbeu është akuzuar me një provë nga kompanitë e basteve. Dhe nëse përdoret si provë, atëherë i bie që të gjitha klubet në Europë të dënohen sipas kësaj prove…Është betejë mes Skenderbeut dhe UEFA-s.
-Uefa do të monitorojë klubet shqiptare në Europë. Si ju duket?
Është e drejta e UEFA-s që autorizon federatat. Por licencuesi është UEFA ashtu si dhe u jep licencat edhe trajnerëve. Nëse ti i shkel këto rregulla, atëherë UEFA ta heq këtë të drejtë. Komisioni licencoi Tiranën dy vite më parë, Uefa e ka quajtur të padrejtë…