Ismail Dunga është drejt shitjes te klubi japonez, Sagan Tosu, por zyrtarisht Vllaznia ende nuk ka arritur një marrëveshje me skuadrën ku deri pak vite më parë ka luajtur edhe spanjolli Fernando Torres.
Është vetë drejtori sportiv i klubit kuqeblu, Matko Djarmati, i cili sqaron situatën për “Panorama Sport”. Ai nuk e mohon që klubi japonez është interesuar, por nga ana tjetër bën të ditur se palët janë larg marrëveshjes.
“Po, mund ta konfirmoj se ka interesim nga një klub japonez. Megjithatë, jemi shumë larg gjetjes së një marrëveshjeje. Për shitjen e Dungës ende s’ka asgjë konkrete”, – ka thënë shkurtimisht Djarmati.
Ndërkohë, mediat ndërkombëtare kanë raportuar së fundmi se palët kanë arritur akordin për një shumë prej 90 mijë dollarësh.
Gazeta zbulon se Vllaznia pret të përfitojë rreth 130 mijë dollarë nga shitja e sulmuesit kenian, i cili në vetëm 7 ndeshje të vlefshme për Superioren këtë sezon shënoi 4 gola me fanellën kuqeblu dhe më pas u largua në Kenia për shkak të problemeve me dokumentacionin.
Mbetet për t’u parë tashmë se cili do të jetë klubi i ri i Dungës, ndërkohë që ai është në kontratë me shkodranët deri në fund të këtij sezoni.