Opinion nga Blendi DIBRA

Duhet të pranojmë që emërimi i z.Shpëtim Duro në postin e trainerit të ekipit shkodranë është pritur mjaft mirë nga opinioni sportiv duke e vlerësuar atë si një trainer me përvojë në kampionatin shqiptarë. Nga ana e drejtuesve të Bashkisë kërkesat e tij për të plotësuar ekipin me lojtar janë plotësuar në mënyrën e kërkuar nga z.Duro.

Po ashtu gjatë takimit në Bashki, Kryetari i Bashkisë z.Luka, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë dhe të Presidentit të Klubit të Futbollit Vllaznia, me të drejtë do kërkonte nga ekipi që të thojnë fjalën e tyre në fushën e lojës, duke justifikuar besimin e dhënë, shpenzimin e bërë si dhe dëshirat e sportdashësve. Ndërsa gjatë fjalës së tij traineri i Vllaznisë do të theksonte me të drejtë që mbi të gjitha është përgjegjësi e tij si trainer në lidhje me mbarëvajtjen e ekipit duke qënë se kërkesat e tij në merkato janë plotësuar sipas dëshirës së tij. Po ashtu një ditë para ndeshjes z.Duro në intervistën e tij do të shprehej mjaft i sigurt në fitoren ndaj Skënderbeut ku theksonte se ekipi Vllaznisë ka brënda shumë më tepër kualitete ndaj atij korçarë !
Por takimi i datës 24 Gusht i ditës së premte në fillimin e kampionatit të superligës shqiptare që në ndeshjen e parë do të evidentonte dobësi të theksuara taktike të ekipit kuqeblu duke ngarkuar me më tepër përgjegjësi trainerin kuqeblu Duro përtej deklaratave dhe angazhimeve të tij në mënyrë euforike në Media. Nuk është problemi se u humb një takim aq më tepër kur përballë ishte kampionia e Shqipërisë por ajo që spikaste dukshëm ishte se ekipi i Vllaznisë nuk ishte i vendosur mirë në fushë me një mungesë të theksuar të displinës taktike ku si rezultat i mungesës së saj kualitetet e Vllaznisë nuk arrinin të shprehnin maksimumin e tyre si dhe përveç kësaj kjo solli edhe rënien fizike dhe ulje të rendimentit të tyre në fushë.
Një nga pikat më të dobëta të takimit ishte mesfushori malazez Deliç i cili paraqiti një performancë mjaft zhgënjyese, duke shfaqur gabime në driblime, në pasime, si dhe dobësi nga ana fizike ku linte hapsira në markime dhe duke lënë ekipin në vështirësi gjatë fazës mbrojtëse. Mirëpo paraqitja zhgënjyese e Delic nuk ishte surprizë duke qënë se Delic në të gjitha ndeshjet miqesore që ka zhvilluar Vllaznia ka qënë mjaft e dobët dhe një fakt i tillë është pranuar edhe nga z.Duro gjatë intervistave të tij në Media, atëherë lind pyetja për ju z.Duro përse pranuat që nga ekipi të largohen mesfushorë fantazistë si Hasani, Karakaci ? Perse u perfshi në formacion Deliç për të justifikuar merkaton apo për t’i dhënë një shans më tepër në një ndeshje mjaft delikate?
Në fakt të gjithë të pranishmit, tifozë dhe specialistë, konstatuan që Deliç ishte pika më e dobët atëherë lind pyetja përse e zëvendësuat Deliç vetëm në pjesën e dytë dhe vetëm pas pësimit të golit të tretë?
I nderuar z.Duro ndofta vetëm pas golit të tretë ju vendosët të zëvendësonit Delic me mbrojtësin Semina por nuk u kuptua përse vendin e tij në mesfushë e mori Halim Bega ? Kjo lëvizje është krejtësisht e pa kuptimtë nga ana e juaj kur pothuajse në të gjitha ndeshjet stervitore të Vllaznisë Halim Bega nuk është përfshirë në formacionin kuqeblu megjithëse në merkato ai erdhi për mbrojtës krahu !
Nuk u kuptua pse kjo lëvizje kur në stolin kuqeblu i gatshëm ishte mesfushori me eksperiencë Belisha të cilin ju e futët vetëm në minutat e fundit të takimit !
Gjithsesi pa u futur shumë në analza teknike ajo që u konstatua qartë ishte që ekipi kuqeblu nuk kishte reflektuar asnjë nga dobësitë e vërejtura gjatë miqësoreve të luajtura përpara fillimit të kampionatit. Ekipi luante pa displinë taktike dhe mjaft konfuz dhe i paqartë qoftë në manovrën sulmuese dhe qoftë në aspektin mbrojtës. Përsa i takon manovrës sulmuese duke filluar që nga miqesoret që ka zhvilluar Vllaznia është vënë re që ekipi nuk ka një mendim të qartë se si të shkoj tek porta gjë që ka sjellur edhe shterpësi golash ndonëse luhej me ekipe të një niveli të dobët. Prandaj edhe në takimin e djeshëm u vërejt e njëjta “sëmundje” ku manovra sulmuese nuk ishte e qartë, Rexha dhe Hysa nuk kordinoheshin saktë dhe mungonte qartësia përpara porte që solli edhe mungesën e shënimit të golave. Po ashtu në aspektin mbrojtës ekipi reflektoj mangësi të theksuara ku me të vërtetë që goli i parë erdhi si rezultat i një gabimi të pafalshëm të Delic por është krejtësisht e pafalshme që në rastin e tre golave të pësuar rreshtimi taktik i Vllaznisë ishte krejtësisht i gabuar. Kam përshtypjen se në daljen tuaj pas ndeshjes përpara Mediave ju z.Duro nuk u treguat i sinqertë kur ngarkoni me përgjegjësi vetëm dy qendërmbrojtësit e Vllaznisë në një kohë që përpara fillimit të kampionatit do të deklaronit që mbrojtja është reparti më i konsoliduar i Vllaznisë.
Pra do të ishte më e drejtë që problemet dhe mangësitë e konstatuara të analizohen me seriozitet dhe përgjegjësi për të arritur në konkluzione sa më të sakta të cilat do të ndihmonin në riparimin e defekteve të konstatuara në mënyrë që në takimet e ardhshme rezultatet të mos mungojnë !