Tekniku i Vllaznisë, Shpëtim Duro, e ka vlerësuar maksimalisht punën e repartit të mbrojtjes në këto gjashtë javët e para të kampionatit. Pavarësisht paraqitjes së takimit të parë me korçarët, tekniku Shpëtim Duro duke iu referuar edhe pësimit të një goli në pesë ndeshjet e tjera e ka vlerësuar këtë repart, por sidomos qendrën e mbrojtjes së saj, si një nga pikat më të forta dhe më cilësore të kësaj skuadre. “Unë dua të vlerësoj në maksimum punën që po bën në tërësi mbrojtja. Mund të them se ne kemi treguar në pesë takime se kemi një nga mbrojtjet më të mira.
Duhet ta harrojmë atë oshilacion të këtij reparti në takimin e parë, por statistikat flasin krejt ndryshe në pesë takimet e tjera. Është vetëm një gol i pësuar me Apoloninë, që tregon se ky repart është një nga më cilësorët e skuadrës që kam. Nuk dua të flas me emra, por qendra e saj ka lojtarë nga më të mirët dhe nga më cilësorët e këtij kampionati”, – ka folur me superlativa për mbrojtjen numri një i pankinës shkodrane, Duro.
Admir Uruçi