Shpëtim Duro është një nga trajnerët më të mirë të dekadave të fundit në vendin tonë, teksa prej dy sezonesh është bërë pjesë e Strugës në Maqedoni, ku po lufton për të mbrojtur titullin kampion. Nën petkun e një profesori të futbollit shqiptar, trajneri i bën një analizë situatës aktuale në Superiore, ku ka drejtuar ndër vite dhe ka korrur suksese me shumicë.
“Unë e kam e thënë prej kohësh dhe të gjithë janë të këtij mendimi. Kanë vënë një formulë që për mua nuk ja vlen. Të shohësh skuadrat kryesore si Egnatia, Tirana apo Partizani, të kalojnë disa javë pa fituar në periudha të ndryshme, nuk ka ndodhur ndonjëherë.
Patjetër që fundi tani do të jetë më i bukur, por të luash gjithë vitin dhe të presësh majin… Shikojini intervistat e trajnerëve! Të gjithë thonë: “Do të presim majin”. Pra, çfarë vlere ka i gjithë kampionati? Ky nuk është Kupë, është kampionat.
Ai që merr më shumë pikë, e meriton kampionatin në fund. E kam thënë se prej kësaj skeme kanë neglizhuar apo toleruar të gjitha skuadrat, sepse edhe Egnatia nuk do ta kishte shënuar atë ecuri që kishte disa javë më parë…”