Shpëtim Duro është shprehur tepër i rezervuar për situatën që po kalon ekipi i tij. Ai ka vlerësuar maksimalisht pikët e marra ndaj skuadrës së Bylisit, por edhe bën thirrje që skuadra ta harrojë të shkuarën e të shikojë përpara për të ardhmen. Në intervistën e tij për gazetën, ka vënë në dukje se ka shumë mundësi për të ardhmen, duke theksuar se përsëri sulmi nuk është aty ku pritej. Megjithatë, tekniku mendon se deri në merkaton e janarit duhet ecur dhe i duhet besuar këtij kontingjenti që ka në dispozicion.

Si e shikoni fitoren e arritur në këtë fundjavë ndaj Bylisit?
Mund të them se është një fitore tejet e vyer për ekipin tonë. Nuk ishte një fitore e lehtë, por ishte një trepikësh që ka mbërritur pas shumë përpjekjesh për këtë skuadër. Dua të vlerësoj maksimalisht ekipin për atë që dha në këtë përballje. Nuk dua të bëj asnjë dallim, por të vlerësoj në total ekipin për këtë rezultat të arritur.
Si do ta rregullojë tekniku Duro sulmin e ekipit të tij, pasi skuadra nuk ka një sulmues tipik?
Mund të them se ekipi do të reflektojë gradualisht, në mënyrë që të marrë maksimumin e mundshëm deri në fund të kësaj faze. Ky është brumi që Vllaznia ka në dispozicion dhe nga ky brumë shpresoj dhe besoj se duhet të merret më e mira. Për mua rëndësi primare ka që skuadra të shënojë, pastaj kalon në plan të dytë se kush shënon.
Mendoni se kjo Vllazni do të ketë tani një vazhdimësi?
Shpresoj që këta lojtarë të tregojnë më të mirën e tyre. Mund të them se ky ekip duhet të shikohet takim pas takimi. Nuk duhet të themi se fituam një takim dhe gjithçka tani do të ndryshojë. Por duhet të shikojmë me kujdes takimet e radhës. Kampionati është i gjatë dhe ekipi do të ketë oshilacionet e veta.
Po thoni oshilacionet e veta…
Po është e vërtetë, pasi ekipi është ndërtuar për të pasur pretendimet e veta, por duhet thënë se skuadra nuk është e atyre niveleve siç janë ekipe të tilla si Skënderbeu dhe Tirana, apo edhe Flamurtari. Të jemi të sinqertë, nuk kemi kontingjentin që unë edhe kam kërkuar. Megjithatë, mund të them se klubi ka bërë maksimumin e mundshëm për të krijuar atë grup që unë kamë dëshiruar. Por këta janë lojtarët që kemi aktualisht në dispozicion.
Si e vlerëson paraqitjen e Deliçit në këto takime?
Mund të them se është me cilësi të mira. Deliç është një lojtar nga i cili pres shumë. Ai ka treguar edhe në stërvitje se është një lojtar që vlen dhe se ka cilësi mjaft të mira. Ato gjuajte ai i ka treguar edhe në stërvitje, ndaj më vjen mirë që në një takim arrin me një goditje të tillë t’i japë tri pikët Vllaznisë.

Admir URUÇI