Tirana u ndëshkua nga Komisioni i Disiplinës që të luajë pa tifozë të gjitha ndeshjet deri në fund të këtij sezoni të Superligës. Kjo, pas ndeshjes ndaj Vllaznisë në Lushnje, ku u hodhën kapsolla në drejtim të lojtarëve shkodranë, dy prej të cilëve patën nevojë për ndihmë mjekësore.
E ndodhur në një pozicion të vështirë në renditje, me shumicën e ndeshjeve të barazuara, ekipi i trajnerit Bledi Shkëmbi rrezikon jo pak. E kur kanë kaluar fare pak ditë që nga dënimi i rëndë që Federata Shqiptare e Futbollit i dha klubit më të titulluar në vend, dhe kur kryeqytetasit humbën dhe ndeshjen ndaj Egnatias, ish-futbollisti i Kombëtares, Klodian Duro në studion e emisionit “Ora Sport” në “Ora News” theksoi se nëse nuk mblidhet urgjentisht bordi drejtues dhe të ndërhyjë direkt në ekip, atëherë Tirana është ekipi i parë që firmos rënien nga kategoria.
“Nuk është vetëm kjo ndeshje e sotme, pasi po flasim për klubin më të titulluar në Shqipëri. Ndaj po them se kjo është një temë shumë e ndjeshme, sepse e shikoj në një pozitë shumë të vështirë. Dhe nëse Laçi nesër fiton, apo Bylisi, atëherë Tirana është në zonën “play out”.
Që nga sot duhet që të gjithë drejtuesit duhet të mblidhen urgjentisht për ta parë klubin siç duhet. Pasi sa më shpejt që t’i vënë pikat mbi “i” aq më mirë do jetë për klubin. Është një keqmenaxhim i të gjithë drejtuesve ndaj ai ekip është në atë gjendj.
Nëse drejtuesit nuk janë mbledhur pas ndeshjes së sotme, unë mendoj se është në gjendjen më të vështirë, dhe është kandidatja kryesore për të dalë nga Superliga”, theksoi Klodian Duro.