Trajneri I Vllaznisë Shpëtim Duro nuk mund të bëjë asgjë më tepër me lojtarët që ka në dispozicion. Për ta çuar në vendin që I takon, ai kërkon të tjerë lojtarë, të tjerë përforcime në merkaton e janarit. Numri 1 I pankinës shkodrane tashmë ka dalë hapur me idenë e tij. E ka bërë këtë gjë pas ndeshjes së fundit me Flamurtarin ku sipas tij u vërejtën diferencat e mëdha në cilësi të lojtarëve. Duro prêt se si do veprojnë drejtuesit e klubit. Vetë ka idenë se duhet nisur një projekt I ri. “Ajo që dua të them unë është se për ta parë Vllazninë në vendin që I takon dhe në nivelin e pritshëm, duhen lojtarë, duhen përforcime.
E kam thënë qysh në fillim, kam qenë fuqiplotë në marrjen e vendimeve, s’kam patur asnjë lloj ndërhyrje. Në fillim kur kam ardhur tek kjo skuadër kam ardhur me idenë për të patur në skuadër shumë lojtarë cilësorë emrat e të cilëve I kam përmendur por kjo nuk u bë realitet. Megjithatë ne nuk ishim ne keq por situata u kthye kundër nesh me eliminimin në kupë dhe humbjen ndaj Tiranës. Barazimi na qetëson disi për të parë për një projekt për të ardhmen, në bashkëpunim edhe me drejtuesit e klubit duke parë çfarë idesh dhe çfarë projektesh kanë”. Trajneri flet për merkato, flet për projekte por në fakt drejtuesit e klubit nuk e kanë shumë mendjen tek to. Ata ia kanë bërë të qartë trajnerit se do jetë e vështirë për të ndërhyrë në merkato ngaqë nuk kanë financa të planifikuara për këtë gjë dhe e vetmja mundësi është të largojnë lojtarë. Kjo vështirë të ndodhë. Në kushte të tilla, mbase ky diskutim në distancë do bëhet edhe në tavolinë mes palëve. Drejtues të klubit të pyetur dje në lidhje me fjalën “projekt” të përmendur nga trajneri dhe se çfarë kanë ndër mend të bëjnë në janar, janë dukur në fakt disi të çuditur. Vetë ata nuk kanë ndonjë projekt të qartë sepse në fakt projektin për ndryshimet në skuadër duhet ta bëjë së pari trajneri. Mes palëve në pamje të parë ka edhe një “ftohje”. Këtë e konfirmon më së miri fakti që pas ndeshjes me Flamurtarin, drejtuesit e klubit janë mbledhur në zyrën e administratorit për të biseduar rreth ndeshjes dhe ata kanë thirrur në telefon edhe trajnerin Duro që ishte tek konferenca e shtypit për t’u bashkuar me to, por ai ka preferuar të vazhdojë të qëndrojë aty. Barazimi ndaj Flamurtarit në fakt ka mbyllur disa gjëra në mënyrë sipërfaqësore. Në renditje nuk ka rregulluar asgjë ajo pikë e marrë. Përpos kësaj, edhe nga vetë tifozët ka pasë shumë kritika gjatë gjithë ndeshjes në adresë të trajnerit Duro për formacionin që kishte hedhur në fushë, pa asnjë sulmues të mirëfilltë. Kryebashkiaku- president Luka braktisi stadiumin pas pjesës së parë I mërzitur nga loja e zhvilluar dhe disavantazhi prej dy golash. Të gjithë këto faktorë natyrisht që rëndojnë mbi trajnerin. Ai duket se ende po vuan dy humbjet rradhazi ndaj Teutës dhe Tiranës si dhe eliminimin në kupë. Nëse fillimisht u tha se atij do “t’I lihej afat” deri pas ndeshjeve të fazës së parë, kjo periudhë tashmë po vjen. Ka mbetur edhe një ndeshje për t’u zhvilluar dhe për të parë se çfarë do ndodhë me Shpëtim Duron. Ka zëra që thonë se drejtues të klubit kanë ndër mend ta largojnë madje nëpër ambjente të ndryshme të qytetit përmendet edhe emri I zëvendësuesit të mundshëm të tij ndërkohë që vetë trajneri aktual flet për një projekt të ri. Ai në fakt mund të jetë një projekt I ri por varet se me kë trajner, Shpëtim Duron apo ndonjë tjetër.
Gjergj KOLA