Trajneri i njohur Shpetim Duro ka dhene nje interviste ne lidhje me garen e kampionatit dhe ecurine e skuadrave pretendente dhe eshte ndalur edhe tek ata qe konsiderohen me te fortat ne garen per titullin kampion. Duke folur per gazeten “Panorama Sport”, ai eshte shprehur:

“Çfarëdo të ndodhë në Superiore, formula ka prodhuar kampionat të përgjumur. Ndarja e skuadrave ka pasur ndikimin e vet. Katërshja e parë është konfirmuar dhe kjo e ul rivalitetin. Elbasani mund te nderhyje ne kete gare, por do të jenë shumë të rëndësishme rezultatet e 2-3 ndeshjeve të radhës. Me Dinamon nëse fiton, tregon se mund të jetë pjesë e katërshes. Edhe parametrat i ka si skuadër. Është e plotësuar. Skuadrat e tjera kam mendimin se do të garojnë për mbijetesë deri në fund. Edhe diferenca në fizionomi nuk kanë.

Formula e theksoj që të prish punë, sepse do të presim ne që të na mbushet stadiumi deri në maj. Ka nisur në gusht ndërkohë. Vjet e pamë sa veta shkuan në ndeshjet finale. Ky është vetëm favor i trajnerëve, që bëjnë 4-5 barazime dhe janë të qetë. Me sistemin tjetër, ne me një barazim bëhej nami. Kjo formula në përgjithësi e ka ulur emocionin.

Nga katër skuadrat e para, unë them se Egnatia është sërish pretendenti kryesor. Nuk është skuadra e para një apo dy vitesh. Është mbajtëse e titujve dhe po mësohet me trofe. Plus skuadra është shumë e plotë. Shoh edhe Dinamon. Në katërshen e parë këto dy skuadra shoh si më të fortat, më me personalitet. Por edhe Partizani me Vllazninë mund të ndryshojnë gjatë rrugës”- eshte shprehur Duro.