Trajneri i Vllaznisë Shpëtim Duro nuk mendon ta japë dorëheqjen edhe pas humbjes së sotme me Kastriotin. I pyetur nga gazetarët në fund të ndeshjes mbi këtë gjë, ai ka përsëritur frazën që e ka thënë shpeshherë këto kohët e fundit. “Unë kam një kontratë me Vllazninë deri në fund të sezonit dhe dua ta respektoj atë deri në fund. Nëse drejtuesit e klubit nuk duan që të vazhdojnë bashkëpunimin me mua, kanë të drejtën e tyre për të vendosur se çfarë do bëjnë. Kjo nuk është çështje e imja”. Thënë qartë, ky trajner ka ardhur për të marrë ato para që ka në kontratë.
Sigurisht, që në mosecurinë ashtu siç duhet të skuadrës mund të mos jetë vetëm ai fajtori por përgjegjësia më e madhe natyrisht që bie mbi të. Nesër Vllaznia mund të zbresë në vendin e nëntë në renditje nëse Flamurtari e Besa fitojnë, ashtu siç pritet. Sigurisht që kjo do jetë diçka e rëndë sepse skuadra është ndërtuar për të qenë pretendente për fitimin e trofeve ose më së paku, për një vend në Kupat e Europës. Matematikisht, për këtë të dytën edhe mund të jetë në lojë sepse diferenca nuk është e madhe por ashtu siç është në lojë për vendin e dytë e të tretë, ashtu ajo mund të jetë kandidate edhe për të rënë nga kategoria. Çfarë do ndodhë? Këtë përgjigje askush nuk mund ta japë për momentin. As për trajnerin Duro. Tek Vllaznia analizat do bëhen me kujdes, për të studiuar jo vetëm pozitat e trajnerit, por edhe merkaton, të ardhmen dhe shumë gjëra të tjera. Deri sa të bëhet kjo analizë, Shpëtim Duro është në krye të Vllaznisë.
www.shkodrasport.com