Trajneri i Vllaznisë Shpëtim Duro vazhdon të jetë në krye të detyrës së tij. Të paktën deri në momentin kur do të zhvillohet analiza e drejtuesve të klubit në lidhje me gjithçka ka ndodhur nga muaji qershor kur ka nisur puna për këtë ekip dhe deri tani. Një analizë e tillë, bëhet e ditur se do të zhvillohet brenda dy javëve të ardhshme. Ajo mund të bëhet edhe më shpejt, kjo varet nga mënyra sesi duan t’i bëjnë punët drejtuesit e klubit. Skuadra shkodrane sot mund të zbresë në vendin e nëntë në renditje dhe një pozicionim i tillë është i papranueshëm për një skuadër që është ndërtuar për të qenë pretendente.

Vetë trajneri Duro është shprehur se nuk e ka ndër mend të japë dorëheqjen. Nëse drejtuesit e klubit duan ta largojnë, kjo është në dorën e tyre. Megjithatë, edhe këta të fundit nuk janë shumë të vendosur për të ndërmarrë një nisëm të tillë. Kuptohet që pengesa kryesore është pagesa e rrogës sepse Duro, sipas kontratës që ka të nënshkruar do të vazhdojë të marrë 50 për qind të saj deri në fundin e muajit maj të vitit të ardhshëm. Plus që në janar, ka edhe një këst të dytë të kontratës. Në këtë mënyrë, Vllaznisë do t’i duhet të paguajë dy trajnerë dhe për momentin ajo nuk e ka një luks të tillë. Por nga ana tjetër, përveç kësaj frike, ekziston edhe ajo tjetra se askush nuk jep garanci se çfarë do ndodhë nëse largohet Duro, a do ndryshojë për mirë apo jo situata. Në kushte të tilla, deri në momentin e zhvillimit të analizës së fazës të parë, do ketë shumë dilema për të ardhmen e Duros por edhe të skuadrës në tërësi.
www.shkodrasport.com