Fitorja në miqësoren e fundit me Adën e ka ngrohur edhe më tepër trajnerin e Vllaznisë Shpëtim Duro. Pavarësisht se skuadra që ai drejton nuk ka arritur ende maksimumin e saj, ai është i kënaqur. Loja po vjen në rritje, gola tashmë po shënohen dhe këta janë tregues të një skuadre në rritje. Duke folur pikërisht për fitoren me velipojakët në miqësoren e fundit me shifrat 3-1, ai ka thënë: ”Ka qenë prova e fundit për skuadrën tonë. Mendoj se në përgjithësi kemi zhvilluar një ndeshje të mirë dhe për më tepër e rëndësishme për ne ishte që të shënonim. E bëmë këtë gjë dhe jam i kënaqur. Në miqësoren me Shkumbinin kemi shënuar, po ashtu edhe me Besëlidhjen ndonëse nuk shënuan, krijuam raste dhe luajtëm mirë dhe po ashtu edhe ndaj Adës shënuam tre gola.
Nëse në ndeshjet e para miqësore, treguam se kemi probleme në sulm, tashmë këto probleme mendoj se po kalohen dhe skuadra është gati për ballafaqimin shumë të rëndësishëm me Skënderbeun”. Ndaj Adës në fakt kanë shënuar tre nga lojtarët e ardhur në merkaton e verës dhe pikërisht rumuni Dragoi, kosovari Rexha dhe malazezi Deliç. I pyetur pikërisht për blerjen më të fundit, atë të Rexhës që shënoi në këtë ndeshje,trajneri Duro do të shprehej: “Rexha më ka kënaqur edhe në ndeshjen e parë, në miqësoren me Shkumbinin kur e lashë në fushë 90 minuta dhe tregoi gjëra të mira. Edhe në miqësoren me Adën, ndonëse luajti vetëm gjysmën e saj, bëri një paraqitje të mirë dhe them se kemi goditur në shenjë duke marrë lojtarin që na duhej për sulmin. Unë kam besim tek ky lojtar por edhe tek të tjerët që kemi në skuadër dhe mendoj se shënimi i golave nuk do jetë problem për Vllazninë”. Me miqësoren ndaj Adës, është mbyllur cikli i miqësoreve të kuqebluve gjatë kësaj vere. Dy fitore, tre barazime dhe 1 humbje, janë tregues të një skuadre që ka ardhur në rritje nga ndeshja në ndeshje. Kulmi i rritjes duhet të jetë të premten e ardhshme pikërisht me ndeshjen e parë të kampionatit, atë që do luhet ndaj Skënderbeut në Shkodër. Kur i thua trajnerit Duro se tifozët shkodranë mezi presin një fitore ndaj korçarëve në këtë ndeshje, ai përgjigjet: “Tifozët vërtetë që e presin me entuziasëm këtë ndeshje dhe duan fitore të skuadrës së tyre por të jeni të bindur se të njëjtin pritshmëri për të kam edhe unë si trajner. Bashkë me skuadrën kemi punuar fort prej 6 javësh dhe tashmë ka ardhur koha ta konkretizojmë këtë punë. Të mos harrojmë se përballë do kemi një skuadër shumë të fortë si Skënderbeu, dy herë kampione e vendit rresht dhe që ka në përbërje të tij lojtarë shumë të mirë. Megjithatë edhe Vllaznia ka lojtarë të mirë në rradhët e saj. Kemi bërë një punë të mirë dhe tashmë ka ardhur koha të matemi me çdo kundërshtar, qoftë ky edhe Skënderbeu kampion. Vllaznia të jeni të bindur se nuk ka frikë asnjë kundërshtar sepse është ndërtuar për të qenë e tillë dhe kuptohet që do dëshiroja edhe unë shumë ta nisnim kampionatin e ri me fitore”. Trajneri e ka thënë fjalën e vet. Puna është bërë në fushën e stërvitjes. Ajo që mbetet është vetëm konkretizimi me një fitore në këtë sfidë shumë të rëndësishme. Nëse niset në këtë mënyrë, gjërat do të bëhen më të lehta rrugës për kuqeblutë pastaj.
Gjergj KOLA