Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, ka paralajmëruar se mungesat e shumta të skuadrës së tij në këtë periudhë për shkak dëmtimesh e kartonash, e kanë bërë më të vështirë këtë periudhe.

Në “Gol pas Goli”, ai ka paralajmëruar se këtë muaj, ku Flamurtari luan disa ndehsje me rivalët direkt për Europën, ekipi bëhet gati të vuajë, në lojë dhe rezultate.

Për mungesat e sotme

“Mungesat patjetër që janë të shumta, 7-8 futbollistë, por sot më ka ngelur pishman se skuadra në pjesën e parë, në 20 minutat e para ishet dominuese, nga momenti në moment mund të shënonim ne, Vllaznia po mbrohej.

Goli i parë u dha qetësi, pastaj edhe i dyti, nuk mund të flas në pjesën e dytë për lojën. Mungesat ishin të konsiderueshme, por e thashë që në pjesën e parë isha i kënaqur nga loja, por i mërzitur nga momentet e golave”.

Për momentin e vështirë

“Jo për t’u justifikuar por e kam parashikuar që me Luftëtarin, atëherë kishim mungesa dhe sot edhe më shumë.

Ishim pa mesfushën, e dija që në këto dy ndeshje do të vuajmë, e kisha të qartë se kam shumë dëmtime, 3-4 lojtarë do kthehen pas disa javësh, kemi pasur dhe shumë kartona, e dimë që ky muaj do të jetë i vuajtur, por e rëndësishme është që ne të kemi grupin të plotë për objektiva si Kupa, ashtu edhe Europa.

Të paktën në fund skuadra të jetë e plotë, e gatshme. Pavarësisht rezultateve, skuadra jonë është solide”.

Për luhatjet në dy ndeshjet e fundit

“Në pjesën e parë, ndaj Luftëtarit, ishim një skuadër që mbuluam shumë mirë lojtarët e rrezikshëm të Luftëtarit, kishim mundësitë tona, nuk shënuam, por loja ishte më e mirë.

Por sot, jam dakord se mbaroi aty gjithçka. Në pjesën e parë, kontrolluam topin në mesfushë ndaj Vllaznisë që vetëm po mbrohej, por dihet që goli ndryshon ekuilibrat, erdhi një gol që Vllaznia nuk e priste.

Gabuam në mesfushë na kapën të papërgatitur dhe pastaj shkoi loja me topat e gjatë se nuk flitej më për rezultat dhe lojë.

Në mesfushë nuk kishim lojtarët kryesorë. Pastaj fati ynë i keq, sigurisht ishte që munguan dy lojtarë me aftësitë e mira teknike, Zhufo dhe Muharrem, që e kam marrë për këtë punë, por që nuk po debuton me skuadrën tonë”.

Për lojtarët e afruar në janar

“Janë dy lojtarë që luajnë dhe dy që nuk luajnë farë, si Muharrem, edhe Tounkara. Zuka është i ri, ka ardhur pa kosto financiare dhe ka qenë lojtar që e ka përfaqësuar mirë veten, ka dhënë kontribut si në mesfushë ashtu edhe mbrojtës i majtë.

Nedjelkoviç ka dhënë kontributin e tij, por nuk është në pritshmërinë që kisha, sepse dy vjet shënonte në Maqedoni dhe nuk po shfaqet ku dua se pavarësisht rasteve që ka pasur, i ka humbur, nuk është ku dua unë”./vipsport/