Erion Dushku dhe Tefik Osmani, dy mbrojtësit përkatësisht të Tiranës dhe Teutës po mbajnë peng Vllazninë, sa u përket përforcimeve në këtë repart. Nga burime pranë klubit mësohet se lojtarët në fjalë, të cilët pëlqehen nga trajneri Duro, janë kontaktuar nga drejtuesit e klubit. Mirëpo, si Dushkun ashtu edhe Osmanin duket se nuk do të jetë edhe shumë e lehtë për t’i marrë në Shkodër. Kjo pasi, lezhjani, i cili luan në qendër të defensivës bardheblu, përveçse do të zhvillojë edhe takimet e Ligës së Evropës me këtë skuadër, po pret dhe oferta të tjera nga klubet jashtë Superiores. Kjo me sa duket është një nga arsyet se pse ai nuk u ka kthyer një përgjigje përfundimtare shkodranëve. Ndërkaq, mësohet se për afrimin e Dushkut pranë Vllaznisë, përveç insistimit të drejtuesve dhe klubit, po punon në këtë drejtim edhe lezhjani tjetër, që është i veshur kuqeblu, Dritan Smajli. Vetë Dushku e ka shprehur pak kohë më parë se Smajli është një arsye më shumë që ai të veshë fanellën e Vllaznisë, por nuk dihen më shumë detaje apo ana financiare që i është premtuar lojtarit. Kështu që gjithçka ka mbetur për t’u diskutuar pas përfundimit të kompeticionit evropian.
Situata: Ashtu si lezhjani Dushku, edhe Tefik Osmani do të kthejë një përgjigje pas përfundimit të aventurës evropiane me Teutën. Për këtë lojtar mësohet se krerët e klubit kuqeblu kanë dhënë ofertën e tyre, e cila mësohet se është parapëlqyer nga vetë ai. Megjithatë, mosarritja e marrëveshjes ka të bëjë ndoshta edhe me faktin se Osmani është në pritje të ndonjë oferte nga ndonjë skuadër tjetër, apo dhe rinovimit të kontratës së tij me durrsakët. Drejtuesit e klubit shkodran me këto dy ndërhyrje që kanë kohë që po i diskutojnë, mund të kishin rregulluar njëherë e mirë defensivën dhe problemin e afrimeve cilësore në repartin e mbrojtjes. Me Smajlin në të djathtë dhe me një rinovim që duket shumë pranë Belishës në të majtë të mbrojtjes, e po ashtu edhe qëndrimi në skuadër i Krajës, ky repart pritet të marrë formën e duhur. Mirëpo, gjithçka mbetet për t’u parë ditët e ardhshme.
Admir URUÇI