Edhe pas rikthimit në “shtëpi” te Santos, në formë huazimi, Neymar nuk e ka fshehur dëshirën për t’u rikthyer në futbollin europian, e sidmos dëshirën e madhe për të riveshur fanellën e Barcelonës.

Braziliani mendon se ende nuk e ka përfunduar plotësisht “aventurën” e tij me Barcelonën, ekip që e katapultoi atë në elitën e futbollit botëror dhe e ktheu në një nga futbollistët më të mirë në botë.

Neymar po e mendon rikthimin te Barcelona dhe ka të paktën dy arsye të forta për këtë gjë. E para, Neymar beson se largimi nga Barcelona te PSG nuk e lejoi të arrinte objektivat që kishte vendosur në karrierën e tij. Ai ka në mendjen e tij idenë se, po të kishte qëndruar ende te katalanasit, do të kishte fituar më shumë tituj kolektivë dhe madje do të kishte më shumë shanse për të fituar Topin e Artë, një ëndërr e madhe e tij.

Arsyeja e dytë lidhet me faktin që Neymar kërkon të jetë në super formë për Kupën e Botës 2026, e cila me shumë gjasa do të jetë e fundit për të, dhe mënyra e vetme për të qenë në formë të lartë është të luajë në një kampionat dhe ekip elitar.

Barcelona po monitoron nga afër situatën, edhe pse rikthimi i tij nuk do të jetë i lehtë. Situata financiare e klubit dhe kushtet e nënshkrimit të tij do të jenë faktorë vendimtarë në një operacion që nëse do të realizohet, do të jetë padyshim një nga lëvizjet më të bujshme të viteve të fundit jo vetëm në La Liga, por në gjithë botën./telesport/