Dy ditë pas zhgënjimit të madh, rënies nga Superliga, tek Vllaznia ende nuk ka asnjë informacion se çfarë do të ndodhë me të ardhmen.
Padyshim që zemërimi është i madh tek të gjithë megjithatë, puna duhet nisur sa më shpejt në mënyrë që skuadra të kthehet në fund të sezonit të ardhshëm në mes ekipeve më të mira të futbollit shqiptar.
Drejtuesit e klubit një ditë më parë përmes një deklarate për shtyp, nxorrën përgjegjësitë që çuan në atë dështim dhe njëkohësisht, bënë të ditur se do merren masat e duhura për rikthimin e Vllaznisë.
Kjo gjë në fakt kërkon një revolucion në skuadër. Pikësëpari duhet zgjidhur projekti i rindërtimit të saj.
Duhen përcaktuar kriteret që duhet të kenë futbollistët të cilët do jenë pjesë e ekipit në sezonin e ri dhe shumë gjëra të tjera.
Natyrisht, kjo duhet bërë pasi të jenë zgjidhur kontratat me futbollistët aktualë të cilët janë aktualisht pjesë e tij dhe që nuk do të jenë në planet e klubit për të ardhmen.
Në pamje të parë çdo gjë do të bëhet me një strategji të qartë, ndonëse prioriteti është sërish kalimi i Vllaznisë në duart e privatit.
Derisa të ndodhë kjo gjë, atëherë puna duhet nisur dhe bërë ashtu si duhet.
Zhgënjimi i saj që kuqeblutë u dhuruan tifozëve dy ditë më parë, shoqëruar me zbritjen një kategori më poshtë për herë të parë pas plot 57 vitesh, duhet analizuar hollësisht.
Për të nxjerrë shkaqet dhe përgjegjësitë që çuan në atë dështim. Tifozët duan një ndryshimë rrënjësor në futbollin shkodran. Këtë gjë kanë premtuar edhe vetë drejtuesit dhe tashmë duhet të presim realisht se çfarë ndodhë.
Vendi i Vllaznisë nuk është në kategorinë e parë dhe për këtë arsye, ajo duhet rikthyer sa më shpejt në elitën e futbollit shqiptar.
© shkodrasport.com