Nga Endri ÇINARI
Vllaznia do udhëtojë drejt Durrësit në javën e 23-të të Superiores për tu ndeshur me vendasit e Teutës. Takimi që është afruar me një ditë në kalendar dhe do luhet ditën e premte në orën 16:30. Një duel që luhet për objektiva të kundërt në dy kampet, ku “djemtë e detit” kërkojnë pikët për tu larguar nga zona e ftohtë e tabelës e ndërsa kuqeblutë tashmë të “sigurt” në top katërshe kanë si synim kapjen e dy vendeve të para në klasifikim.
Një 90 minutësh që garanton për një duel interesant në Durrës këtë fundjavë. E në fakt ndeshjet e këtij sezoni nuk kanë zhgënjyer mes dy skuadrave. Ku golat në “extremis” kanë qenë kryefjala e përballjeve mes dy skuadrave. Gola dhe fitore që në fakt i kanë buzëqeshur Vllaznisë në duelet e fazës së parë dhe atë të dytë, shkruan shkodrasport.com
Shkodranët në duelin e parë të këtij sezoni do triumfonin në Durrës me rezultatin 1-2. Gjithçka do vendosej nga një gol i shënuar nga Bekim Balaj në minutën 90+5, në një ndeshje që dukej se po shkonte drejt barazimit 1-1. Historia u ripërsërit edhe në ndeshjen e fazës së dytë në Shkodër, ku sërish shifrat ishin të mbërthyera në 1-1 pas golave të Bajramit për Vllazninë dhe Nasr për durrsakët.
Megjithatë edhe kësaj rradhe fitorja dhe fati do ishte në krah të kuqebluve. Që me një gol të Ildi Grudes në minutën e 90-të të ndeshjes do siguronin 3 pikët dhe fitoren e dytë këtë sezon ndaj durrsakëve. Një “traditë” që tek shkodranët shpresojnë ta vijojnë edhe në duelin e kësaj fundjave, ku Teuta është shndërruar në një kundërshtar që sjell fat këtë sezon.(www.shkodrasport.com)