Tek skuadra e Adës gjërat kanë ndryshuar në mënyrë krejt të papritur. Nga një ekip me shumë probleme, me afrime dhe largime trajnerësh, tashmë është shndërruar në një ekip i cili di të fitojë. Në dy ndeshjet e fundit, ajo ka mundur Partizanin B brenda në Tiranë me rezultatin 3-2, madje duke luajtur me 10 futbollistë, ndërkohë që ditën e djeshme ka fituar edhe me Luzin 1-0.

Me këto gjashtë pikë, ajo është ngjitur në kuotën e 12 pikëve duke mbajtur vendin e pestë tashmë në renditje. Shumëkush pyet çfarë ndryshoi tek kjo skuadër. Dhe në fakt ndoshta pak kush e di se kjo skuadër prej dy javësh ka trajner të ri dhe drejtor sportiv të ri. Në pankinë pas largimit të Çakut dhe Nikës është ulur Zamir Lumani ndërkohë që në postin e drejtorit tashmë është Ylvi Rroji. Gjërat kanë ndryshuar edhe sa i takon trajtimit të skuadrës. Nuk ka probleme më me udhëtimin apo trajtimin e sportistëve dhe pikërisht prej të gjitha këtyre gjërave, kanë ardhur edhe rezultatet. Ada ndoshta vërtetë është larg për të pretenduar vendet e para por nëse vazhdon me këtë ecuri, nuk është çudi që të pretendojë edhe ngjitjen një kategori më lart.

© shkodrasport.com